Lidhje Demokratike e Kosovës, së fundmi ka qenë shumë e komentuar dhe sulmuar nga partitë e tjera.
Deputeti i LDK’së, Lumir Abdixhiku është treguar i matur kur i ka reaguar Dardan Gashit dhe Enver Hoxhajt se Partia e Rugovës është shndërruar në Degë të Vetëvendosjes dhe kontrollohet nga Albin Kurti.
Abdixhiku që dikur përdore gjuhë të vrazhdë ndaj kundërshtarëve, sot, ka thënë vetëm se LDK s’i duhen mendimet e huaja.
Ka ironizuar me PDK’në dhe numrin e Nënkryetarëve të kësaj partie duke thënë se këshilla ka ardhur prej njërit prej 40 zëvendësve të Kadri Veselit.
“Vazhdon ligjërimi ndaj LDK-së. Këtë herë na paska “këshilluar” njëri nga 40 e sa nënkryetarët e PDK-së. Se i kanë rregulluar punët e veta mosvet. Janë aktivizuar të gjithë; me këshilltarë, nënkryetarë e kryetarë. Analiza e psiko-analiza për LDK-në. Si të veprojmë, si të sillemi, si të votojmë – taman për qejf të tyre. Çka do të bënim ne vallë pa ta?”, ka shkruar Abdixhiku.
Ka thënë se me LDK’në po merret partia e tretë, PDK’ja.
“Vetëm një hall i madh i aktivizon të tillët kështu. Veç një kompromis i rëndë me Serbinë i bën kaq aktiv – gjithsesi patetik. LDK e ka të qartë rrugën e vet. Edhe për dialog, edhe për shtet edhe për konsensuz politik. Mbi të gjitha LDK ka njerëz mjaftë që i dalin të zot në mendim e veprim. Për mendime të huaja s’kemi vend. Gjithsesi të njejtat mund t’i përdorni lirshëm në udhëheqjen e partisë nga vendi i tretë. Aty të njëjtat ju kanë sjellë”, ka shtuar ai.
Të shtunë, për Gazetën Express, Zëvendësi i Ramush Haradinajt në Qeveri, Dardan Gashi, e ka dhënë një shpjegim se pse Partia e themeluar nga Ibrahim Rugova po refuzon të bëhet pjesë e dialogut përfundimtar me Serbinë. Po thotë se Lidhja Demokratike e Kosovës po vepron siç po merr instrukcione prej Albin Kurtit.
Madje, ish-zyrtari i LDK’së ka deklaruar se Partia e Isa Mustafës është bërë Degë e Vetëvendosjes.
Dardan Gashi ka vlerësuar se disa eksponentë – sidomos gjenerata e re e LDK’së – më shumë besojnë në idetë e Albin Kurtit se sa në vizionin e Ibrahim Rugovës.
“Me këtë mendësi që kanë disa nga eksponentët e LDK’së duhet ta rishikojnë a janë më shumë “Abinista” a “Rugovista””, ka thënë Gashi, në një intervistë për Gazetën Express.
“Me këtë politikë, LDK është Degë e Vetëvendosjes. Nuk është duke vepruar si parti politike por po vepron sipas dëshirave dhe inercioneve të prodhuara nga Albin Kurti”, ka shtuar ai.
Isa Mustafës i ka mbetur shumë hatri pse një zyrtar i Qeverisë së Kosovës tha se LDK është shndërruar në Degë të Vetëvendosjes dhe po urdhërohet prej Albin Kurtit.
Krejt akuzat e Dardan Gashit se LDK ka rrëshqitur në filozofinë “albiniste”, Shefi i LDK’së i ka ndërlidhur me emrin e Kadri Veselit. Ka thënë se Kryetari i PDK’së po i bën fushatë me bashkëpunëtorët e tij kundër LDK’së.
Mustafa e ka krahasuar Kryetarin e PDK’së, Kadri Veselin me Serbinë në fushën e provokimeve. Ka thënë se provokime si të Veselit bën edhe shteti serb.
“Kadriu (Kadri Veseli) si Kryetar i Kuvendit dhe Kryetar i PDK-së, dhe lakenjtë e tij s’lënë gjë të keqe pa ia atribuuar LDK-së, e njollosin me llojlloj etiketimesh, e në anën tjetër kërkojnë që LDK të bashkëpunojë më ta dhe me koalicionin e tyre në dialog”, ka shkruar Mustafa.