VV fton opozitën në dialog me Serbinë, a do të pranojë Limaj?

16:40 | 01 Dhjetor 2019

Albin Kurti kërkon të bashkëpunojë me opozitën për dialogun me Serbinë.H

Kurti ka vendosur të mos bashkëpunojë me NISMA’n, AKR dhe as AAK’në për të ndërtuar Qeverinë. Por, Kryeministri në ardhje po kërkon ndihmën e opozitës në dialogun me Serbinë. Partia e Fatmir Limajt ende s’ka qëndrim nëse do të përfshihet në këtë proces.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e NISMAS, Haxhi Shala, ka thënë për Gazetën Express se partia e tij ende nuk e ka marrë një vendim për pjesëmarrje në grupin negociator.

“Ende nuk ka një qëndrim të Nismës rreth çështjes së dialogut, a do të jetë pjesë e bisedimeve apo jo”, ka thënë Shala për Express.

Ai ka theksuar se në ditët në vijim, Nisma mund të ketë një qëndrim rreth përfshirjes apo jo në procesin e dialogut.

“Në ditët në vijim edhe ne do të kemi qëndrimin tonë se si do të sillemi ndaj këtij procesi”, ka theksuar Shala.

Kurti qysh në kohën e fushatës zgjedhore kishte deklaruar se nëse do të jetë kryeministër i vendit, do ta marrë në dorë udhëheqjen e dialogut.

Tani, ai po thotë se do t’i ftojë të jenë pjesë e delegacionit edhe partitë opozitare.

E ftesës së tij për pjesëmarrje të opozitës në grupin negociator deri më tani i është përgjigjur AAK’ja.

Kreu i kësaj partie, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se edhe pse do të jenë në opozitë do të përkrahin qeverinë e re në çdo temë të interesit nacional.

Bisedimet e Kosovës me Serbinë janë ngrirë tash e një vit, më saktësisht nga nëntori i vitit 2018 që nga vendosja e taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe.

Qeveria e Kosovës kishte vendosur taksën si kundërpërgjigje ndaj politikave të Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës kundër shtetësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare.

E vendosja e kësaj takse ishte parë nga Beogradi si pengesë edhe për zhvillimin e dialogut. Qeveria e Kosovës kishte thënë se taksa nuk paraqet pengesë për bisedimet, mirëpo kjo ishte bërë për mungesën e gatishmërisë së Serbisë për ta njohur Kosovën si shtet të pavarur.

Tani, taksa i ka mbetur në duar Qeverisë së re. Albin Kurti e ka përmendur si mundësi zëvendësimin e taksës me vendosjen e masës së reciprocitetit të plotë ndaj Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës.

Komento: