LDK: Do t’i vazhdojnë bisedimet me VV-në pa ju nënshtruar presioneve të askujt

13:07 | 04 Dhjetor 2019

LDK dhe Vetëvendosje ende nuk kanë arritur marrëveshje për të bashkëqeverisur se bashku.

Përmes një komunikate për media, Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur e përkushtuar të respektojë dhe zbatojë vullnetin e qytetarëve të Kosovës të shprehur në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit.

“Në këtë drejtim, ne kemi shprehur vazhdimisht gatishmërinë dhe zotimin tonë të palëkundur në arritjen e një marrëveshjeje bashkëqeverisëse me LVV-në, bazuar në fuqinë politike që u kanë dhënë votuesit dy partive, në frymën e bashkëpunimit drejt mbrojtjes dhe avancimit të interesave shtetërore të Kosovës”, thuhet në njoftimin e LDK-së, përcjell ORAinfo.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka punuar dhe është e vullnetshme të arrijë një marrëveshjeje të baraspeshuar, të qëndrueshme dhe afatgjatë.

“Diskutimet mes dy partive, LDK dhe LVV, do të vazhdojnë në mirëbesim dhe mirëkuptim, pa ju nënshtruar presioneve publike të askujt dhe duke krijuar një ambient të përshtatshëm dhe racional.

Synimi ynë i përbashkët është të arrijmë një marrëveshje që ka prioritet vetëm dhe vetëm zotimet tona ndaj qytetarëve të Kosovës për të përmirësuar mirëqenien e tyre”, thuhet në njoftimin e LDK-së. /ORAinfo/

Komento: