Krasniqi thotë se Kurti po luan me Vjosa Osmanin për të shkuar në zgjedhje

10:38 | 16 Dhjetor 2019

Vetëvendosje dhe LDK ende nuk kanë arritur të nënshkruajnë marrëveshjen për bashkëqeverisje.

Pavarësisht deponimit që shprehën për një koalicion pas zgjedhor dhe takimeve të shpeshta, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk po arrijnë të gjejnë kompromis në ndarjen e posteve, veçmas atij të presidentit.

Profesori universitar dhe njëherit njohësi i çështjeve politike, Milazim Krasniqi, përmes një shkrimi të publikuar në Facebook, ka komentuar këtë situatë politike, derisa ka komentuar edhe rolin e Albin Kurtit në raport me kundër kandidaten e tij që ishte për kryeministre, Vjosa Osmanin.

Krasniqi ka thënë se Kurti po e luan këtë lojë me Vjosa Osmanin për një arsye të fshehtë, ai po përgatitet për të shkuar në zgjedhje të reja.

“Nëse Vjosa Osmanin arrin ta konsumojë, atëherë fitorja e tij mund të jetë më e madhe se sa më 6 tetor. Këtë truk të Albin Kurtit nuk është duke e kuptuar as Vjosa Osmani e as veteranët e LDK-së. Në LDK disa janë tepër pleq për të menduar, disa tepër të rinj për të kuptuar.

Lëvizja Vetëvendosje ka treguar gjenerozitet hileqar ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke u pajtuar që postin e presidentit t’ia japë partisë rugoviste, që njihet si parti presidenciale. Kushti i vendosur nga Vetëvendosje është shumë hileqar, por i dukur si miqësor: kërkojnë që në atë post të zgjidhet Vjosa Osmani. Pra, Vetëvendosje po kërkon diçka që nuk është jonormale për një parti demokratike: po kërkon të caktojë kuadrot e LDK-së”.

Profesori shton tutje se në rastin e Vjosa Osmanit, partia e Kurtit ka një pretekst që të jetë gjeneroze, pasi ajo ia mundësoi fitoren Kurtit në zgjedhjet e 6 tetorit.

“Vetëvendosje ka shprehur dëshirë ta shpërblejë zonjën Osmani, e cila ka merita të mëdha për fitoren e Albin Kurtit. Sipas një teorie, po të mos ishte Vjosa Osmani e vendosur që ta humbte garën, Kurti nuk do ta fitonte garën. Gabimet e saj në fushatë kanë ardhë si pasojë e presioneve psikologjike që ka pasur nga veteranët e partisë së saj. Duke bërë përpjekje që të dukej shumë e fortë, ajo u tregua shumë arrogante, çka përballë një Albin Kurti të moderuar, e paraqiti si alternativë më të keqe.

Ndërsa, aktiviteti i zonjës Osmani në promovimin e fitores së Vetëvendosjes ka qenë i madh që nga shpallja e rezultateve preliminare në natën e 6 tetorit. Nuk iu nda Kurtit as në udhëtime jashtë vendit e as në momentin e nënshkrimit të deklaratës si deputete e re”.

Madje Krasniqi komenton edhe deklarimet e Vjosa Osmanit, e cila kishte thënë se nuk i jep llogari Agim Veliut, pasi që ajo sipas tij i jep llogari Albin Kurtit.

“Kjo është e kuptueshme, pasi ajo po i jep llogari Albin Kurtit. Zgjedhja e Vjosa Osmanit si presidente e Kosovës, do të bënte ta harronim presidenten e zarfit të Kristofer Dellit. Emri që ka nxjerrë na zarfi Albin Kurti është shumë më pak korrekt. Meqë ende nuk ka pasur ndonjë demontim nga ana e Vjosa Osmanit, atëherë ajo shihet si kandidate e LDK-së e propozuar nga Vetëvendosje. Por, kjo faktikisht e ka futur Vjosa Osmanin ndërmjet dy zjarreve, në njërën anë veteranët e LDK-së që duan ta ngulfatin politikisht, në anën tjetër Albin Kurti po e konsumon politikisht”.

Komento: