Arianit Ahmeti përjashtohet nga FFK-ja, arsyet i bën të ditura Komisioni Disiplinor

10:56 | 18 Dhjetor 2019

Ish-zëvendëssekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Arianit Ahmeti, është përjashtuar nga Federata në bazë të vendimit të marrë nga Komisioni Disiplinor i FFK-së, që e ka arsyetuar vendimin përmes një njoftimi për media.

Kryetari aktual Agim Ademi dhe zvëvendëssekretari i shkarkuar Arianit Ahmeti kanë qenë dy protagonistët në situatën e krijuar aktualisht në futbollin kosovar, për shkak të pretendimeve për mandatin e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Ahmeti pretendon se Agim Ademi nuk ka mandat katërvjeçar deri në vitin 2022, por vetëm deri ne vitin 2020 pasi që mandati i tij është vetëm vazhdim i mandatit të Fadil Vokrrit të ndjerë. Ai thotë se e ka mbështetjen e 41 prej gjithsej 59 delegatëve në FFK për ta rrëzuar Ademin nga posti i presidentit të FFK-së.

Pas gjithë kësaj, Ahmeti u shkarkua nga Federata e Futbollit të Kosovës, përmes një vendimi të marrë nga Komiteti Ekzekutiv, ndërsa tani FFK-ja e ka bërë të ditur edhe përjashtimin e tij nga Federata, sipas vendimit të Komisionit Disiplinor.

“Arianit Ahmeti, në procedurë të hapur disiplinore pas shkarkimit nga Komiteti Ekzekutiv për shkelje të statutit të FFK-së neni 12 pika I, shkelje të kodit të etikës neni 5 dhe 6: dënohet me masën disiplinore, përjashtim nga organizata e futbollit bazuar në nenin 63 paragrafi 1, pika 4”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Në deklaratën e lëshuar bëhet e ditur se ky përjashtim vjen pasi që Ahmeti e anuloi një vendim të Komisionit Disiplinor, të marrë më 5 dhjetor, si dhe pasi u deklarua për media pa marrë autorizimin e Federatës.

“Komisioni disiplinor ka konstatuar se i lartpërmenduri ka shkelur nenin 106 të Rregullores Disiplinore, ku ka anuluar vendimin e Komisionit Disiplinor të datës 05.11.2019 , duke cenuar nenin 41, paragrafi 2, pika a të statutit të FFK-së”, thuhet në njoftim.

“Po ashtu i njëjti ka shkelur rëndë nenin 13 të kodit të etikës, duke u deklaruar për media pa autorizim nga ana e udhëheqësve të futbollit. Po ashtu i njëjti ka shkelur nenin 5 dhe 6 të kodeksit ku parashihet se të gjithë anëtarët e organizatës së futbollit duhet të veprojnë në përputhshmëri të këtyre neneve”.

Ahmeti tani ka të drejtë ankesë në Komisionin e Shkallës së Dytë në afat kohor prej tetë ditësh.

Komento: