Serbia po vazhdon të tentojë destabilizimin e veriut

19:33 | 04 Janar 2020

Pjesa Veriore e Kosovës, vazhdon të mos jetë ende e sigurtë.

Veriu i Kosovës vazhdon të jetë ende jo stabil dhe në lidhje me këtë Policia e Kosovës gjatë vitit 2019 ka zhvilluar disa aksione në atë zonë ku janë arrestuar shumë persona.

Përveç arrestimit të personave civil të lidhur me krimin, policia e Kosovës ka arrestuar edhe pjesëtarë të saj nga komuniteti serb të cilët i kanë kontribuar krimit të organizuar.

Gjatë këtij viti, Kosova është përballur me sprova të ndryshme të sigurisë si kthimi i qytetarëve të saj nga zonat e luftës në Siri që ishte një sukses i madh, por edhe dështimi i anëtarësimit në INTERPOL.

Për të diskutuar lidhur me këto dhe çështje të tjera të sigurisë në vend, lajmi ka realizuar një intervistë me ekspertin dhe profesorin e Shkencave të Sigurisë, Avni Islami.

Lajmi: Zotëri Islami, si e shihni situatën e sigurisë në Kosovë në vitin 2019?

Avni Islami: Gjendja e sigurisë në vitin që po e lëmë pas pavarësisht disa tendencave të disa grupeve të plaçkitësve të cilët kanë thyer dhe shkaktuar edhe vdekje dhe pavarësisht asaj se politika agresive e Beogradit në raport me Kosovën dhe ndikimi drejtpërdrejt në grupe të organizuara kriminale së bashku me strukturat e sigurisë së Serbisë, qoftë të BIA-s, kanë pasur përpjekje të destabilizojnë sidomos veriun e Kosovës ku janë përpjekur që të pengojnë çdo proces të stabilizimit dhe çdo iniciativë të institucioneve të Kosovës. Pavarësisht kësaj, duke iu falënderuar institucioneve të sigurisë në Kosovë duke filluar nga Policia, AKI-ja, pastaj të mos flasim për KFOR-in i cili është i mandatuar nga Kombet e Bashkuara të cilët janë të mbështetur me ligj të mbrojnë sigurinë e jashtme dhe të brendshme. Kur i bëjmë së bashku këto, kanë ruajtur një stabilitet të sigurisë në Kosovë pavarësisht disa tendencave por besoj që ky vit që e lamë pas është relativisht i qetë.

Lajmi : Veriu i Kosovës vazhdon të jetë pikë destabilizuese dhe vatër e korrupsionit e krimit të organizuar, a mendoni se ende ekzistojnë struktura paralele dhe çfarë mund të bëjë Kosova për të neutralizuar aktivitetet kriminale në atë pjesë?

Avni Islami: Nuk ka dilemë se Serbia përmes veriut të Kosovës, pra Mitrovicës dhe qyteteve të tjera në aspektin praktik përmes grupeve të organizuara dhe në të njëjtën kohë përmes Listës Serbe përpiqet të destabilizojë dhe ta mbajë të tensionuar gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe thash më parë shkarazi se strukturat serbe qoftë ato të Policisë së Serbisë pa uniformë, qoftë përmes BIA-s edhe përmes Zbuulim-Kundër-Zbulimit, të KOS-it tentojnë ta mbajnë të tensionuar dhe saherë që i duhet Serbisë për qëllimet e veta përpiqet ta destabilizojë dhe ta paraqes Kosovën qoftë brenda, qoftë jashtë kinse Kosova është shtet i dobët dhe nuk është në gjendje të ketë stabilitet brenda dhe ta paraqes Kosovën si vend burim i trazirave.

Lajmi: Ushtria e Kosovës bëri një vit nga transformimi, a mendoni se kjo i kontribon sigurisë në vend?

Avni Islami: Formimi i Ushtrisë së Kosovës është vetëm një nga hapat më të rëndësishëm të sigurisë në Kosovë ku nuk ka kuptim një shtet i pavarur, sovran të funksionojë pa ushtri për shkak se secili shtet, ushtria është garantuese e sovranitetit dhe integritetit, mirëpo më parë, Ushtria e Kosovës ka qenë në faza tranzitore, nga një Forcë e Sigurisë që ka qenë gjithësesi në monitorimin e BE-së dhe duhet thënë se në aspektin e burimeve njerëzore dhe logjistike i ka munguar të jetë ushtri me të gjitha elementet e saja, por me anë të ligjit për shkak të rrethanave që janë krijuar, Kosova tani ka ushtri të rregullt dhe duhet thënë se periudha prej 10 viteve është periudhë prej ku ushtria e Kosovës do të pajiset qoftë me burime njerëzore, qoftë me logjistikë ku do ta ketë mandatin dhe forcën e saj ushtarake si ushtri mbrojtëse, pra nga një vend të ka absorbuar energji për ruajtjen e stabilitetit, mendoj që brenda 10 viteve ushtria e Kosovës do të prodhojë stabilitet jo vetëm në Kosovë, por edhe në Ballkan dhe më gjerë.

Lajmi: Si e komentoni dështimin e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL?

Avni Islami: Në vazhdimësi, Kosova ka qenë e përgatitur edhe në aspektin e logjistikës dhe i ka plotësuar kushtet të jetë pjesë e INTERPOL-it mirëpo gjasat për pranim janë zbehur për shkak se ka ndikuar gjendja politike jo vetëm brenda Kosovës por edhe Kosova në raport me politikën e jashtme, por mendoj që ajo që mund të them është se Kosova nuk është pranuar deri më sot se kanë ndikuar raportet gjeo-politike, qoftë politika evropiane, qoftë fuqizimi i Rusisë që e ka shfrytëzuar Serbia ku ka pasur raste që edhe vende të cilat kanë njohur Kosovën nuk e kanë votuar anëtarësimin e Kosovës në Organizatën më të madhe të Policisë në Botë. Politika evropiane nuk është stabile dhe duhet të ndahet në dy faza, deri në vitin 2015 kishte politikë unike evropiane ndërsa tani Evropa ka probleme politike, si dalja e Britanisë. Pra, nuk është faji i Kosovës vetëm, pasi defenitivisht MPJ e udhëhequr nga Pacolli është më të dobëtat, ku s’kemi njohje fare, por edhe më keq kemi çnjohje dhe pse ne nuk jemi në INTERPOL është dështimi i politikës së jashtme të Kosovës, ani pse nuk është i gjithë faji i saj.

Lajmi: Kosova ka riatdhesuar gjatë këtij viti një numër të madh të qytetarëve të vet të përfshirë në luftërat në Siri ndërsa një pjesë (llogaritet mbi 100 persona), vazhdojnë të mbesin ende në Siri e Irak, a mendoni se mund të rrezikojnë sigurinë e vetit persona të tillë?

Avni Islami: Mendoj që veprimi i institucioneve të Kosovës në bashkëpunim me SHBA-të të cilat kanë ndërmarrë një veprim për riatdhesimin e personave të cilët kanë qenë në luftërat në Siri është i qëlluar për shkak se pjesa dërmuese kanë shkuar dhunshëm sepse shumica e rasteve ka kur kryefamiljari ka shkuar dhe ka marrë edhe gruan dhe fëmijët dhe kësisoji nuk bën të dënohen të gjithë. Ata nuk duhet të dënohen të gjithë, por mendoj që drejtësia duhet të merret me të gjithë dhe duhet t’ia lëmë drejtësisë, ata që kanë kryer vepra penale në luftërat e huaja të dënohen para gjyqit, por mendoj se fëmijët dhe gratë duhet të risocializohen dhe t’i kthehen jetës normale sepse janë të traumatizuar. Kosova nuk ka qytetarë të humb, mendoj se edhe pjesa që ka mbetur, që kanë kryer vepra penale, kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në lufta dhe kanë kryer krime të dënohen sipas ligjit.

Lajmi: A ka në Kosovë rrezik të përgjithshëm nga radikalizmi dhe fundamentalizmi dhe si mund të luftohet kjo?

Avni Islami: Mendoj që kah viti 2010 ka qenë në trend radikalizmi përmes ideologjisë vehabiste, mirëpo trendi i asaj ka rënë në mënyrë drastike derisa në vitin 2010 është kosnideruar se janë rreth 50,000 ithtarë të radikalizmit sot është shumë i vogël numri i tyre. Mendoj që populli i Kosovës është vetëdijësuar dhe ka kuptuar se ideologjitë dhe luftërat e huaja nuk janë të popullit të Kosovës dhe se ato janë luftëra politike të vendeve arabe që e shfrytëzojnë fenë për qëllime të veta.

Lajmi: Çfarë prisni nga viti 2020 në aspektin e sigurisë dhe cilat janë çështjet me të cilat Kosova duhet të ketë kujdes të veçantë?

Avni Islami: Fillimisht duhet të them se Kosova është vonuar në formimin e institucioneve. Kjo gjendje të cilët e kemi sot, institucionet e Kosovës janë si pacienti në narkozë dhe dua të them se institucionet janë të lidhura me politikat e sigurisë dhe pres që qeveria të formohet sa më parë dhe të rritet gjendja ekonomike, sociale dhe sigurisht kjo është e lidhur me sigurinë e vendit tonë. Pres me formimin e institucioneve të rritet efikasiteti i tyre dhe pres që institucionet e sigurisë të jenë në krye të detyrës. Pres që vitin 2020 tash të jetë fillim i mbarë dhe një fillim ku do të bëhet fillimi i rritjes ekonomike, mirëqenies sociale dhe gjendja e sigurisë.

Komento: