Thaçi i caktoi Kurtit 48 orë për të propozuar kandidatin për kryeministër, reagon VV

17:13 | 06 Janar 2020

Sot, Kurti nuk është mandatuar kryeministër i Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje ka mohuar se presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka vendosur afat kohor prej 48 orësh për Albin Kurtin, që ky i fundit të bëjë propozimin për kryeministër, shkruan Express.

Përmes një shkrimi në Facebook, Kreshnik Ahmeti, sekretar për marrëdhënie me jashtë në LV, ka shkruar se sot ishte në takimin Thaçi – Kurti, nga ku shton se nuk ka pasur asnjë afat kohor të caktuar nga presidenti.

Ai thotë se ky kufizim nuk ka bazë kushtetuese.

Ahmeti ka sqaruar se në mbledhjen e ardhshme të kryesisë do të merret vendim për emrin që do t’ia dorëzojnë presidentit.

“Mund të them që në asnjë moment Presidenti nuk ka përmendur kufizim kohor për nominimin e kadidatit/es për Kryeministër, e aq më pak afatin prej 48 orëve.

Ky kufizim kohor apo çfarëdo kufizimi i ngjashëm, nuk ka bazë kushtetuese.

Në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë sonë do të marrim vendim, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe mandej do t’ia dërgojmë zyrtarisht e me shkrim Presidentit propozimin tonë”, ka shkruar ai.

Komento: