Katër largime nga Barcelona, Setien del me një deklaratë të papritur

16:34 | 01 Shkurt 2020

Setien nuk shqetësohet.

Gjatë merkatos së janarit, katër lojtarë janë larguar nga skuadra e Barcelonës.

Carles Alena, Carles Perez, Abel Ruiz dhe Jean Clair Todibo kanë ndarë rrugët me skuadrën katalane, duke bërë që numri i lojtarëve të skuadrës të zbritet.

Por, kjo gjë nuk e shqetëson aspak trajnerin e Barcelonës, Quique Setien, i cili ka thënë se i pëlqen të ketë më pak lojtarë në skuadër.

“Ne kemi më pak lojtarë tani, por kemi një skuadër B prapa, dhe ata lojtarë të rinj janë gati. Disa tashmë stërviten me skuadrën e parë, dhe ne jemi gati t’iu japim shansin. Jam i sigurt se ata do të na ndihmojnë kur të kemi nevojë për ta” ka thënë Setien, transmeton lajmi.net.

“Mund të mendoni se skuadra është më e dobët, por ju kurrë nuk mund ta dini. Ndonjëherë gjërat mund të kthehen ndryshe. Mund të parashikoni se çfarë ndodh, por nuk do të shpenzoja energjitë tuaja” ka shtuar ndër të tjerash trajneri.

“Të kesh 18 lojtarë është më mirë sesa të kesh 25 ose 26 që nuk luajnë. Ajo hap më shumë rrezik sesa të kesh skuadër të vogël” ishin fjalët e Setien.

Barca ka nënshkruar me emra si Francisco Trincao dhe Matheus Fernandes, por dyshja i bashkohen skuadrës në fund të sezonit.

Komento: