Dorëzohet Spanja: Merr pjesë në samitin ku do të jetë e pranishme edhe Kosova

10:42 | 04 Shkurt 2020

Edhe Spanja do të jetë pjesë e Samitit në Zagreb.

Ndonëse ditë më parë u raportura se Spanja nuk merr pjesë në samitin e Zagrebit për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës, zyrtarë të së njëjtës kanë konfirmuar se nuk do ta bojkotojnë takimin dhe se do të udhëtojnë për atje.

Kështu u bë e ditur përmes një njoftimi të lëshuar për media, ku u tha e Madridi zyrtar nuk ka kërcënuar asnjëherë se do të bojktojë takime të tilla, vetëm për shkak të prezencës së Kosovës.

“Në varësi të konfigurimit të samitit, Spanja do të përfaqësohet nga një nivel përfaqësimi ose një tjetër”, u tha nga përfaqësues të këtij vendi.
Ky Samit midis përfaqësuesve të BE’së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor do të mbahet më 6-7 maj.

Theksojmë se për shkak se Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ajo kishte sfiduar pjesëmarrjen e barabrdë të Kosovës në këto takime të nivelit europian, shkruan gazeta metro.

Ky shtet edhe më parë ka bojkotuar takime të ngjashme. Në vitin 2018 në Sofje, kur është mbajtur Samiti me Ballkanin Perëndimor, i pari pas 15 vjetësh, Madridi zyrtar nuk ka marrë pjesë për të njëjtat arsye.

Ndërkaq, kishte qenë Ministri i Jashtëm i atëhershëm, Joseph Borell, tash përfaqësues i lartë europian për Politika të Jashtme, që në gushtin e kaluar u largua nga salla e një takimi në Helsinki, pikërisht për shkak të pranisë së Kosovës.

Sidoqoftë, lidhur me këtë çështje është deklaruar edhe kryetari i Parlamentit të Kroacisë, Gordan Jandrokovic, i cili ka thënë se është e vështirë që të pëputhen interesat e të gjitha vendeve të BE’së.

Ndryshe, përveç Spanjës, pavarësinë e Kosovës nuk e njohin edhe katër vende të tjera të Europës, Greqia, Qipro, Rumania dhe Sllovakia.

Komento: