
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i është përgjigjur ashpër nënkryetares së VV-së, njëherit deputete e Kuvendit, Fatmire Kollçaku lidhur me një deklarim të saj, në të cilin ajo citon fjalët e një analisti serb, teksa i njëjti thotë se kryeministri i ri, Albin Kurti është më i fortë karshi Serbisë sepse nuk ka dosje kri’minale të UÇK-së.
Përmes një postimi në Facebook, Thaçi ka thënë se është krenar që ka qenë pjesë e UÇK-së.
Ai ka thënë se nuk e ka menduar kurrë që do të vije dita që një deputete e Kuvendit të shpërndajë deklarata të tilla.
Ja postimi i plotë i presidentit:
Jam krenar që kam qenë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që nga themelimi i saj. Ka qenë nderi më i madh në jetën time që ta barti uniformën e UÇK-së dhe të jem Drejtor Politik i saj.
Ajo uniformë dhe shërbimi në luftën tonë çlirimtare nuk është hendikep, por nder, përparësi dhe krenari në çdo përballje me këdo.
Nuk kam menduar, e lëre besuar, se do të vijë dita që një deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës të thotë me krekosje se Kryeministri i tashëm i Kosovës në përballje me Serbinë është më i fortë sepse “nuk ka dosje kri’minale të UÇK-së”.
E pyes zonjën në fjalë: çfarë kr’imi ka bërë UÇK-ja?
UÇK ka pasur vetëm një mision – dëbimin e Serbisë nga Kosova.
UÇK ëndrrën e popullit të Kosovës e bëri realitet. Fituam lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin.
Etiketimet e tilla për UÇK-në, projektin më madhor kombëtar, i kemi dëgjuar vetëm në Beograd dhe në Moskë.
Po e përsëris: Jam krenar që kam qenë pjesëtar i UÇK-së dhe Drejtor Politik i saj. Kjo vetëm sa më bën më të fortë mua dhe gjithë bashkëluftëtarët e UÇK-së.
Ne jemi me fat që kemi bindur aleancën më të fuqishme ushtarake të botës, NATO-n, që të na dalë në ndihmë dhe së bashku ta çlirojmë vendin tonë.
Çlirimtarë të Kosovës janë të gjithë qytetarët e Kosovës.