Një person theret me thikë në afërsi të “Duplex”, dyshohet edhe për të shtëna me armë zjarri.

10:14 | 18 Shkurt 2020

Përsëri përleshje në afërsi të “Duplex”, një person theret me thikë, dyshohet edhe për të shtëna me armë zjarri.

Në orët e para të mëngjesit të së martës, në afërsi të klubit të natës “Duplex” po dyshohet se ka pasur të shtëna me armë zjarri. Po ashtu, janë përdorur edhe mjetet e ftohta, ku si pasojë, një person ka marrë lëndime, raporton Express

Festimet për 12-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës nuk kanë kaluar pa incidente.

Në orët e para të mëngjesit të së martës, në parkingun e klubit të natës “Duplex” në Prishtinë ka ndodhur një tentimvrasje.

Rastin për Express e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Florije Ahmeti.

Ajo ka bërë të ditur se policia është në kërkim të tre personave të dyshuar për këtë rast.

“Sot rreth orës 02:00, në stacionin policor Qendra në Prishtinë është iniciuar një rast vrasje në tentativë. Rasti ka ndodhur në rrugën “Rinia”, ku pas një zënke (ku dyshohet se ka pasur edhe të shtëna me armë), në mes të disa personave, lëndime nga arma e ftohtë (thike) ka pësuar viktima R. A. Personi i lënduar është dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që policia ka identifikuar tre persona të dyshuar dhe është në kërkim të tyre”, ka treguar Ahmeti.

Kujtojmë se në nëntorin e vitit 2019 në dalje të klubit të natës “Duplex” kishte ndodhur një tjetër zënkë, ku si pasojë e përdorimit të armëve të zjarrit, katër persona ishin plagosur.

Të dyshuarit kryesorë të këtij rasti janë ende në arrati.

Komento: