A po dështon ekipi negociator?

09:42 | 17 Janar 2019

U tha nga ekipi negociator, se të mërkurën do të votohet platforma për bisedime me Serbinë dhe atë do ta dërgojë në Kuvend, por kjo nuk ndodhi.

Platforma e dialogut me Serbinë nuk u votua nga ekipi negociator edhe pse bashkëkryesuesi Shpend Ahmeti kishte paralajmëruar se të mërkurën do të votohet dhe do të dërgohet në Kuvend.

Ekipi negociator me rastin e formimit ia kishte përcaktuar vetes një muaj afat për ta hartuar këtë platformë, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur edhe pse pikërisht dje është bërë një muaj. Dje ky ekip mbajti një takim, në të cilin njoftoi që platforma përmban elemente të cilat i parasheh Kushtetuta, por nuk ka definuar nëse me këtë platformë hidhet poshtë ideja e presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve me Serbinë.

Por anëtari i grupit negociator Enver Hoxhaj ka thënë për “Zërin” se platforma është e gatshme të procedohet në Kuvend kurdo që ky mblidhet.

“Kurdo që Kuvendi i Kosovës do të ketë seancë ne jemi të gatshëm që ta prezantojmë, por platforma prezantohet në Kuvend dhe nuk është e menduar të prezantohet në medie”, u shpreh Hoxhaj.

Komento: