Presidenti kërkon që nesër të raportojë para deputetëve për takimet në Shtëpinë e Bardhë

12:14 | 03 Mars 2020

Presidenca ka dërguar shkresë zyrtare në Kuvendin e Kosovës, ku ka kërkuar që Presidentit Hashim Thaçi, t’i organizohet një seancë më 4 mars, për të njoftuar në lidhje me vizitën e realizuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe për takimin e homologun e tij nga Serbia, Aleksandar Vucic.

Në këtë shkresë zyrtare, është kërkuar që të bëhen të gjitha përgatitjet për mbajtjen e një seance për çështjet e kësaj vizite dhe takimit me Presidentin serb, Vucic.

Thaçi, përmes një shkrimi të publikuar dje në Facebook, është shprehur i gatshëm të raportojë në Kuvend në lidhje me takimet e realizuara me zyrtarët e Administratës Trump, dhe atë me Vucic.

“Sapo përfundova një takim të përbashkët me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Shtëpinë e Bardhë, me ftesë të emisarit special për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ku i pranishëm ishte edhe Këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien”, kishte shkruar Thaçi.

Kujtojmë se gjatë kësaj vizite, Thaçit i është bërë e qartë në Shtëpinë e Bardhë dhe në institucionet e tjera të larta në Uashington, se duhet të hiqet taksa plotësisht në mënyrë që t’i hapet rrugë marrëveshjes finale dhe përmbylljes së dialogut me Serbinë.

Komento: