
Koronavirus ka arritur edhe në Shqipëri.
Spitali Infektiv në qendrën spitalore universitare të Tiranës është kthyer tashmë në “Covid 1”, godinë e cila do të shërbejë ekskluzivisht për pacientët e prekur nga koronavirusi.
Spitali është zbrazur plotësisht nga pacientët e tjerë, teksa jashtë ambienteve të infektivit janë vendosur barriera hekuri dhe njoftime ku thuhet “Zonë në Karantinë, hyrje e autorizuar”.
Ndërkohë një numër i lartë i forcave të policisë ndodhet në perimetrin e zonës për të mos lejuar futjen e personave të paautorizuar.
Kujtojmë se tashmë Shqipëria ka konfirmuar dy rastet e para me koronavirus. Aktualisht në spitalin infektiv janë shtruar babë e bir, dy të prekurit e parë me koronavirus.
Deri më tani kanë nisur testimet për të paktën 14 persona të afërt me dy të prekurit e parë me koronavirus. Pritet që të dalin analizat për të mësuar nëse virusi është përhapur më tej apo jo.


