Opozita: Ideja e ministrit Reka është qëndrim i Qeverisë Kurti

19:04 | 09 Mars 2020

Deklarata e ministrit Reka për sigurimin e daljes së Serbisë në det si kompromis final për marrëveshje ka ngjallur reagime të shumta.

Opozita e kërkon shkarkimin e ministrit Blerim Reka, për deklaratën e tij për sigurimin e daljes së Serbisë në det si kompromis final për marrëveshje. Sipas opozitës, ideja e Rekës është qëndrim i Qeverisë Kurti, ndërsa Zyra e Kryeministrit nuk komenton asgjë rreth asaj deklarate. Çfarë në të vërtetë paraqet ideja e Rekës?

Ministri për Integrimin Evropian, Blerim Reka, e ka sqaruar deklaratën e tij rreth “kompromisit”, që Kosova do të bënte për një marrëveshjen përfundimtare me Serbinë. Reka deklaroi se assesi nuk duhet të jepet tokë, ndërsa si kompromis Kosova mund t’i siguronte shtetit serb dalje në detin Adriatik.

Sqarimi nuk i ka mjaftuar opozitës, e cila po e kërkon shkarkimin e ministrit Reka, duke e cilësuar idenë e tij si antikombëtare. Tashmë është dorëzuar edhe kërkesa për interpelancë.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së, Daut Haradinaj, nuk ndryshon qëndrim, as pas sqarimit që ministri Reka e bëri rreth deklaratës së tij.

“…në insistimin e gazetares se çka atëherë mund të japim për atë ulëse në OKB, thashë ndoshta si ide eventuale qe t’i lejojmë Serbisë kalimin tranzit nëpër autostradën tonë për detin Adriatik. Pra, diçka që edhe deri tash i është lejuar Serbisë dhe që është ngritur si ide edhe në kuadër të Procesit të Berlinit që nga viti 2014”, ka shkruar Reka.

Përkundër që ministri thotë ta ketë dhënë mendimin e tij personal, Haradinaj beson se ai në fakt ka shprehur qëndrim në emër të Qeverisë Kurti.

“Mendoj që z. Reka është duke e transmetuar qëndrimin e qeverisë Kurti, pasi ministri Reka është me pervojë të gjatë dhe vështirë me besu që bën gabime të tilla. Ai është ministër dhe ai s’mund të ketë qëndrim personal, qëndrimi i tij është antikushtetues”, ka thënë Haradinaj për Gazetën Express.

Reka nuk e ka sqaruar krejtësisht se si po e mendonte idenë e sigurimit të daljes në det për Serbinë.

Express i ka dërguar pyetje sot Kabinetit të ministrit për ta sqaruar idenë e tij, mirëpo nuk janë përgjigjur.

Ndërkaq kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka thënë se deklarata e paelaboruar e ministrit Reka mund të shihet vetëm si politike.

“Pasi nuk është e elaboruar mirë, është më shumë si ide politike, e është më vështirë të tentohet të vlerësohet”.

Rukiqi thotë se megjithatë Kosova tashmë është një transit i mallrave serbe sepse ato veçse kalojnë nëpër Kosovë.

“Sido që të jetë, ne veçse jemi transit. Mallrat serbe nuk janë duke fluturuar. E dyta, për obligimet doganare, ashtu kështu nuk paguhen sepse na jemi pjesë e CEFTA’s”, ka thënë ai.

AAK’ja bashkë me dy partitë e tjera opozitare, PDK’në e Nismën, kanë dorëzuar sot në Kuvend kërkesën për interpelancë për ministrin Reka, ndërsa kanë kërkuar edhe shkarkimin e tij.

Zyra e Kryeministrit nuk i është përgjigjur sot gjatë ditës rreth deklaratës së ministrit Reka dhe nuk ka komentuar as kërkesat e opozitës për shkarkim të ministrit nga Maqedonia.

PDK’ja ka dalë me komunikatë rreth deklaratës së Rekës, duke e konsideruar si një ide që buron nga ata që donin Serbinë e madhe.

“ Kjo ide e Ministrit të Vetëvendosjes është rehabilitim i të gjitha përpjekjeve historike serbe, që nga Naçertanje, luftërat ballkanike, projektet e Nikola Pashiqit, Jovan Cvijiqit, e Ivo Andriçit, për ta zhbërë jo vetëm Kosovën, por edhe shtetin shqiptar“, thuhej në komunikatën e PDK’së.

Reka në sqarimin e tij rreth deklaratës ka thënë se është e pandershme që opozita të kërkojë dorëheqjen e tij, derisa nuk e ka kërkuar dorëheqjen e Presidentit Hashim Thacit, i cili, sipas Rekës, ka negociuar për shkëmbim të territorit të Kosovës.

“Më duket e pandershme qe ata të cilët nuk e kërkuan dorëheqjen e Presidentit aktual teksa negocionte zgjidhje territoriale me shkëmbime sekrete, të kërkojnë tash dorëheqjen time”, ka thënë Reka.

Komento: