
Albulena Haxhiu ka reaguar pas fotografive të publikuara ku ajo shihet duke bartur fëmijët me veturë zyrtare.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot është bërë lajm kryesor i mediave, ky sipas disa fotografive që kanë qarkulluar në rrjete sociale, thuhej se ajo po e shëtiste djalin e saj me veturë zyrtare.
Por një gjë të tillë po e konfirmon edhe vetë ministrja Haxhiu.
Ajo tha se ka shkuar ta marrë djalin e saj në kopsht me veturë zyrtare dhe se nuk e ka shëtitur, duke shtuar se ajo vetë nuk ka leje të vozitjes dhe është në procedurë për ta marrë atë.
Tutje ajo shton se tashmë veturat zyrtare janë në dispozicion 24 orë për qeveritarët.
“Jo se kam shëtitë djalin me veturë zyrtare, s’kam kohë me u shëtitë as vetë e le mo djalin tem, jo jo në fakt po është e vërtëtë unë kam shku sot pas orës 16:00 me marrë djalin në kopsht edhe s’ka pasë kush me marrë, para së gjithash jam edhe nanë, edhe natyrisht që e kam obligim me marrë fëminë prej çerdhes, prandaj e kam marrë, kam shku në ministri prapë e kam vazhdu punën edhe sapo erdha në shtëpi, kjo është e vërteta, ministrat i kanë në dispozicion 24 orë veturat zyrtare, edhe tash unë vet nuk vozis se nuk kam leje të kerrit se nuk e kom marrë hala, jam në procedurë, unë smuj me marrë taksin me shku, mandej me qu fëminë, e me shku prap me kerr zyrtarë, kjo është e vërteta”, tha Haxhiu.
Ndërkohë në reagimin e saj zyrtar Haxhiu është munduar të arsyetoj veprimin duke thënë se ishte e detyruar që të shkonte me veturë zyrtare nga ministria sepse nuk kishte mundësi tjetër dhe se është nënë.
“Disa portale paskan publikuar fotografinë time, duke marrë fëmiun nga çerdhja. Për gjithë ata që shkruajnë, duhet bërë e qartë se përveç se jam Ministre, jam edhe nënë. Në kohën kur ende kisha punë në Ministri dhe s’mund ta lija djalin në çerdhe, meqenëse as bashkëshorti s’ishte këtu, isha e detyruar ta merrja dhe sërish të kthehesha në punë, bashkë me të! Kaq në lidhje me këtë lajm”, ka shkruar Haxhiu.