Thirrje për mbylljen e shkollave: Të mos e presim rastin e parë të konfirmuar me koronavirus

22:54 | 10 Mars 2020

Në Kosovë ende nuk është konfirmuar asnjë rast me koronavirus.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, bëri thirrje të mbyllen shkollat dhe të anulohen tubimet publike për shkak të koronavirusit.

“Mendoj se problemi më i madh është se e kemi kaluar në hajgare çështjen e koronavirusit. Ky ka qenë gabimi më i madh i Italisë, nëse i lexon vlerësimet e Italisë thonë që gabimi është bërë që është neglizhuar dhe është thënë se është vetëm një grip”, ka thënë ai.

Ai tha se Kosova duhet t’i shohë shembujt e vendeve të tjera dhe vendimet e tyre.

“Jemi të rrethuar nga virusi nga të gjitha anët. Nëse keni udhëtuar, e keni parë që askush nuk të bën asnjë pyetje, asnjë kontroll lidhur me virusin në kufi. Gjasat janë më të mëdha që kemi virus sesa që nuk kemi. Njerëzit mund të kenë simptoma dhe të mendojnë që është grip sezonal dhe ta injorojnë”, shtoi ai.

Ahmeti thotë se nëse pritet të kemi një rast të konfirmuar për t’i mbyllur shkollat, atëherë “jemi pak vonë”.

“Gjasat janë që kemi njerëz me virus dhe nëse presim që të na konfirmohet, mund të jetë shumë vonë”, u shpreh ai.

Komento: