
Ndër masat parandaluese të përhapjes së koronavirusit, i cili ende nuk ka prekur vendin tonë, është edhe dezinfektimi i të gjithë autobusëve të “Trafikut Urban”.
Nga ora 22:00, do të fillojë dezinfektimi i autobusëve të “Trafikut Urban”. Këtë e ka bërë të ditur kryeshefi ekzekutiv i kësaj ndërmarrje publike, Lulzim Rexhepaj, i cili deklaroi se dezinfektimi i të gjithë autobusëve publikë do të nis nga një kompani e kontraktuar nga Komuna e Prishtinës.
Ai tutje ka shtuar se do të konsultohen me persona kompetentë që sa herë është e nevojshme të bëhet spërkatja e autobusëve.
“Do të fillojë dezinfektimi i autobusëve të ‘Trafikut Urban’ sonte do të fillojmë dhe pastaj do të konsultohemi me profesionistë se si do jetë orari i dezinfektimeve në sa ditë, pasi sigurisht çdo natë nuk do ketë nevojë… Nga ora 22:00 gjatë natës do të dezinfektohen autobusët pas pastrimit të rregullt që e kemi do të vendosen preparatet dezinfektuese përmes pompave që do ta bëjë një kompani e specializuar për këtë e kontraktuar nga Komuna e Prishtinës”, tha ai.
Rexhepaj tutje theksoi se si kompani kanë një mirëmbajtje të mirë të 51 autobusëve që posedojnë. Madje ai thotë se janë pajise me mjetet e nevojshme higjienike dhe kurdo që rekomandohet ato do të vihen në dispozicion.
“Autobusët e ‘Trafikut Urban’ pastrohen çdo natë duke filluar nga mbledhja e mbeturinave, me fshesë elektrike, me detergjent të cilët i kemi furnizuar përmes procedurave të prokurimit. Nuk e shohim të arsyeshme të krijohet panik tek qytetarët, të udhëtojnë normalisht, t’i kryejnë obligimet ditore , pse mos t’i përdorim autobusët e ‘Trafikut Urban’ të gjithë autobusët tjerë nuk shohim panik. Kemi marr disa masa, jemi furnizuar me materiale higjienike në mënyrë që siç ka deklaruar kryetari i komunës të marrim masa preventive. Me procedura të prokurimit si ndërmarrje publike jemi furnizuar me maska mbrojtëse, me doreza laboratorike me dezinfektues dhe gjithashtu i kemi këshilluar shoferët që me rastin e ndezjes së autobusit të hapet ventilimi. Materialin e kemi në depo se nuk e shohim të arsyeshme, do e përcjellim situatën , kjo do bëhet në bazë të rekomandimeve që do na japin profesionistët e fushës”, ka përfunduar Rexhepaj.