
KQZ-ja nuk i anulon zgjedhjet në Podujevë.
Këtë të diel janë caktuar të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunën e Podujevës. Valdete Daka e KQZ-së thotë se deri tash nuk shohin arsye për t’i ndalur zgjedhjet
Komisioni Qendror Zgjedhor përmes një konference për media ka njoftuar se, deri tash, nuk është parë si e arsyeshme të anulohen zgjedhjet për shkak të rrezikut nga përhapja e koronavirusit.
“Ne e kemi shqyrtuar dhe nuk e kemi parë të arsyeshme të rekomandojmë te Presidenti shtyrjen apo anulimin e këtyre zgjedhjeve. Të shohim nëse ka ndonjë rrezik më të madh, ne prapë mund të mblidhemi dhe nuk është vonë që ato të shtyhen apo të anulohen edhe nesër”, ka thënë Valdete Daka, kryetare e KQZ-së.
Qeveria e Kosovës, si masë parandaluese të përhapjes së virusit Covid-19, ka marrë vendim që të ndalet mësimi dhe të gjitha tubimet publike në vend.
Në Kosovë deri tash nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirus, duke mbetur kështu vendi i vetëm përveç Malit të Zi në Evropë, që zyrtarisht nuk ka asnjë banor të infektuar.