PDK akuzon qeverinë për neglizhencë ndaj koronavirusit: Po kryhen pak testime

15:08 | 14 Mars 2020

PDK akuzon qeverinë për neglizhencë ndaj koronavirusit, thonë se po kryhen pak testime.

Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili ka mbajtur një konferencë për media rreth situatës së krijuar pasi Kosova është prekur nga koronavirusi.

Ismaili është shprehur se Kosova është me fat se është ndër vendet e fundit të prekura nga virusi, por ka thënë se qeveria e ka neglizhuar situatën.

Sipas Ismailit, në Kosovë nuk është aplikuar karantina për personat që kanë ardhur nga vendet e infektuara.

“E kam ftuar këtë konferencë i bindur moralisht dhe profesionalisht se ka nevojë të ngritën disa çështje e disa hapa duhet të merren urgjentisht për të parandaluar shpërndarjen e virusit e për të kaluar këtë gjendje me sa më pak pasoja. Është fat që Kosova është një ndër vendet e fundit që është preket nga ky virus. Kjo kohë është dashur të shfrytëzohet nga institucionet të marrin shembujt më të mirë nga shtetet tjera që të mbrohen qytetarët dhe mjekët. Disa çështjeve nga qeveria Kurti është dashur t’u jepet seriozitet më i madh. Këto shqetësime i kam ngritur edhe para 3 javë në komisionin parlamentar për shëndetësi. Është fatkeqësi që personave të ardhur nga Italia nuk janë vendosur në karantinë, pra duke ua kufizuar atyre lëvizjen dhe kontaktin me tjerët, por u është lejuar të sillen në qytetet e tyre dhe kështu ta ekspozojnë popullatën nga virusi. Karantina është masë që është përdorur nga të gjitha shtetet, por jo nga Kosova dhe karantinat janë përdorur në dy forma në të gjitha shtetet, janë përdorur dy lloje, karantinë e vendosur nga shteti dhe karantinë e vetizoluar nëpër shtëpi.”, tha Ismaili.

Më tutje, Ismaili është shprehur se karantina duhet të aplikohet urgjentisht.

Ish-ministri i Shëndetësisë ka theksuar se testimi i shpeshtë minon rastet dhe përhapjen e koronavirusit. Ai, gjithashtu është shprehur se numri i vogël i testimeve e rrit mundësinë e infektimeve.

“Mungesa e veprimeve për izolim të personave të ardhur në Kosovë nga shtetet me rrezik të lartë si Italia e ka rritur rrezikun e virusit në Kosovë. Çdo person që vjen nga vendet e prekura duhet të vendoset në karantinë për 14 ditë, kjo masë e mbron edhe të infektuarin edhe popullatën. Prandaj mendojmë që mungesa e këtij veprimi është gabim dhe duhet të përmirësohet urgjentisht. Një tjetër çështje me rëndësi është testimi i shpeshtë. Këtë e kanë bërë shumë shtete që kanë arritur ta parandalojnë koronavirusin. Në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare deri më tani janë testuar 140 raste dhe ne mendojmë se kjo është e pakët duke e ditur se personat e prekur po raportohet se kanë pasur kontakte me qindra njerëz. Numri i vogël i testimeve e rrit mundësinë e infektimeve. Qeveria Kurti duhet urgjentisht të fillojë testimin më të shpeshtë duke mos injoruar zingjirin e personave që kanë pasur kontakt me të infektuarit, këtë e rekomandon edhe OBSH”, tha Ismaili.

Komento: