
Dita e dytë në fshatin që e izoloi koronavirusi.
Me vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosje në karantinë Komunën e Malishevës, policia ka bllokuar çdo hyrje dalje në këtë zonë.
Njëri ndër fshatrat e kësaj komune është edhe Kijeva, ndryshe është thuajse e bashkuar me Bubavecin, fshat që tashmë ka një të prekur me virusin korona shkruan lajmi. net.

Një fshat i vogël që në ditë të zakonshme përditshmërie është i zhurmshëm, pasi ka dy shkolla, atë të mesme të ulët dhe të mesme, aktualiteti e ka heshtur.

Sidoqoftë, banorët e Kijevës po zbatojnë thirrjet e Qeverisë që të qëndrojnë në shtëpi duke ndihmuar në mos përhapjen e virusit më të famshëm në botë. Ata i kanë thënë lajmi. net se jetën po e vazhdojnë, ani pse nuk i duhet të qëndrojnë në shtëpi.
“Nuk ka nevojë për panik, po respektojmë vendimin e qeverisë, po kujdesemi për vetën dhe familjen. Deri më tani në Kijevë nuk është ndonjë i infektuar, urojmë të mos ketë dhe numri i të infektuarve të jetë i vogël në nivel të vendit”, ka thënë A.T.

E disa banorë të tjerë po largohen pak nga lajmet e monotonia e izolimit duke ecur në natyrë.
“Ecjen e kemi të përditshme, nuk po e ndalim as këto ditë. Nuk ka rrezik nga natyra po na ndihmon të largojmë paksa stresin e lajmeve të koronavirusit”, thotë një tjetër banor i këtij fshati që sot e kaloi ditën e parë në karantinë.

Lëvizja e veturave është e reduktuar. Gjithashtu edhe njerëz nuk ka në oborret e shtëpive. Por kur ata takohen nga larg pyesin për shëndetin e familjarëve aty këtu edhe ndonjë batutë për gjendjen e momentit.

Marketet ushqimore po vazhdojnë veprimtarinë e tyre, bashkë me to edhe barnatoret dhe furrat që furnizojnë edhe fshatrat përreth.

Megjithëkëtë, si gjithë qytetarët e Kosovës edhe kijevasit presin t’i kthehen jetës normale dhe ankthi i virusit korona të kaloi.
Deri më tani, në Kosovë janë konfirmuar nëntë raste me virusin Covid-19. Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë disa masa për parandalimin e përhapjes së koronavirusit në vend. Deri më tani, janë mbyllur shkollat, të gjitha kafiteritë, restorantet, e dyqanet të cilat frekuentohen në masë të madhe nga qytetarët.