Propozimi i Thaçit për gjendje të jashtëzakonshme, VV dhe LDK me qëndrime të kundërta

08:34 | 18 Mars 2020

VV dhe LDK me qëndrime të kundërta për propozimin e Thaçit për gjendje të jashtëzakonshme.

Dy partnerët e koalicionit, Vetëvendosje dhe LDK, duket se prapë do të kenë mosmarrëveshje. Këtë herë për propozimin e presidentit Hashim Thaçi që të shpallet Gjendja e Jashtëzakonshme për shkak të pandemisë, koronavirus.

Vetëvendosje është kundër kësaj mase që po e konsideron ekstreme dhe LDK është pikërisht për masa ekstreme – pasi thonë se situata është e rëndë me rritjen e personave të prekur nga ky virus, njofton Klan Kosova.

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, në një intervistë për Klan Kosova tha se në këtë rast me shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme mbrohen qytetarët.

“Qeveria nuk ka mbajtur ndonjë mbledhje nëse duhet të vendoset Gjendja e Jashtëzakonshme ose jo. Sot është mbledhur Këshilli i Sigurisë Kombëtare për masat që duhet marrë për sa i takon koronavirusit dhe kjo është bërë me kërkesë të presidentit dhe jo kryeministrit”.

“Në Kosovë situata është serioze se numri po rritet nga ora në orë. Institucionet duhet të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme . Jam që të merren të gjitha masat qofshi ato ekstreme, në mënyrë që të mbrohemi nga ky rrezik që e ka përfshi globin”.

“Nuk ëhstë çështja a jemi me presidentin apo kryeministrin, por jemi për t’u organizuar në mënyrë sa më të mirë për këtë virus. Kjo s’është çështje e kapriçëve se mendimi i kujt do të dominojë. Duhet të lirohemi nga këto forma të veprimit. Ne jemi në shërbim të popullit të Kosovës. Nëse bëjmë garë se cili po dominion kjo është gabim”.

“Gjendja është mjaft serioze. Disa komuna janë në karantinë dhe Policia e Kosovës po bën punë heroike dhe po e menaxhojnë situatën si është më së miri. Por, nëse edhe disa komuna futen në karantinë do të jetë punë e rëndë që ta menxahojë gjithë këtë situatë që është e rëndë sepse rastet janë në rritje sepse policët janë në punë dhe të ekspozuar para rrezikut vazhdimisht. I falënderoj të gjithë”.

Gjatë ditës edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka kërkuar që të shpallet Gjendja e Jashtëzakonshme duke thënë se s’ka çka të pritet më shumë.

“Duhet të veprohet sa më shpejt edhe me gjendje të jashtëzakonshme, sepse po përballemi me një fatkeqësi e cila po shpërndahet në tërë territorin e Kosovës. Pse të pritet më shumë? Kushtetuta ka folë qartë! Ajo që po vërehet është se deri sot Virusi po shpërndahet në proporcion aritmetik, në ditët në vijim mund të kemi propocione gjeometrike prandaj duhet të sillet nën kontroll”, ka shkruar ai.

Ndërsa, pas konferencës së Thaçit edhe zëvendëskryeministri, Haki Abazi, ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk është pajtuar me propozimin e tij për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme.

Komento: