Bie Qeveria Kurti, Lidhja Demokratike e Kosovë del nga koalicioni me Vetëvendosjen

19:51 | 18 Mars 2020

Bie Qeveria Kurti, LDK-ja del nga koalicioni me VV-në.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur të dalë nga koalicioni qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje, pas vendimit të sotëm të kryeministrit Albin Kurti që të shkarkojë Agim Veliun nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

Burime të Telegrafit brenda takimit, thonë se kryesia e LDK-së, ka vendosur të inciojë mocion për rrëzimin e Qeverisë Kurti për shkak të mos heqjes së taksës, dhe vendimeve të njëanshme të kryeministrit Kurti, që kanë shkelë marrëveshjen e koalicionit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot e ka shkarkuar nga detyra ministrin Veliu, me pretekstin se ky i fundit, u deklarua kundër qëndrimit të kryeministrit të Republikës së Kosovës mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të situatës me coronavirus dhe se, sipas tij, Veliu ka përhapur panik, duke thënë se “numri i të prekurve po rritet prej ore në orë”.

Ky vendim i kryeministrit Kurti ka bërë që të mblidhet kryesia e LDK-së e cila në një mbledhje maratonike ka vendosur që të dalë nga koalicioni qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje.

Komento: