
Kryeministri Albin Kurti, ka vizituar Qendrën Operative të Policisë së Kosovës, ku është deklaruar se Qeveria e Kosovës po bën përpjekje maksimale që të menaxhojë sa më mirë situatën e krijuar si pasojë e koronavirusit, për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve të vendit.
Gjatë takimit me drejtorin e përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, kryeministri Kurti u njoftua për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në vend dhe për funksionet që ka qendra operative e policisë, në monitorimin dhe e mbulimin e përgjithshëm të Kosovës.
Më ketë rast kryeministri Kurti, falënderoi të gjithë zyrtarët policor, që në këtë situatë pandemike të koronavirusit që ka përfshirë vendin, janë duke treguar guxim dhe dije në menaxhimin e situatës dhe njëkohësisht duke u kujdesur edhe për sigurinë e qytetarëve.
Kryeministri Kurti vizitoi edhe Qendrën Kombëtare për Menaxhim të Kufirit dhe Qendrën Operative të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, që është hapur sot pas aktivizimit të Planit të Reagimit Kombëtar.