Sipas vendimit të ri, Policia e Kosovës njofton qytetarët për kufizimin e lëvizjes

21:55 | 24 Mars 2020

Policia e Kosovës ka njoftuar qytetarët për kufizimin e lëvizjes.

Që nga ora dhjetë, Policia e Kosovës ka filluar me zbatimin e vendimit për kufizimin e qarkullimit.

Edhe gjatë kësaj kohe, një numër i madh i qytetarëve vazhdonin të qarkullonin, raporton koha.

Nëpër rrugët e Prishtinës, policia ka kërkuar nga qytetarët të izolohen nëpër shtëpitë e tyre.

E të gjithë atyre që ishin në rrugë pas orës 10, u ka dhënë edhe vendimin e Qeverisë që tregon për kohën e kufizimit.

Gjysmë ore më vonë, edhe rrugët filluan të zbrazen.

Nëpër kryeqytet qarkullonin më shumë vetura të policisë.

Në një përgjigje të shkurtër për KOHËN, zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani ka thënë që gjatë ditës vetëm janë duke i informuar qytetarët për vendimin dhe duke ua shpërndarë atë.

Sipas Kelanit, qëllimi është zbatimi i këtij vendimi e pastaj do të merren masa ndaj atyre që nuk e zbatojnë.

Me një vendim që ka marrë Qeveria të hënën kufizohet lëvizja e qytetarëve nga ora 10:00 e mëngjesit deri në orën 16:00. Kufizimi kthehet edhe prej orës 20:00 deri në orën 6:00 të mëngjesit.

Komento: