Të burgosurit në Kosovë, të ‘kërcënuar’ nga sëmundja infektive

20:52 | 31 Mars 2020

Të burgosurit duket se po ‘kërcënohen’ nga sëmundja infektive.

Pas 11 të burgosurve nga burgu i Dubravës që rezultuan me sëmundjen e zgjebes apo siç njihet në gjuhën popullore si “zhuga”, tashmë edhe një i burgosur në burgun e Smerkonicës, dyshohet të jetë infektuar me këtë sëmundje.

Nga burgu i Smerkonicës, i kanë thënë Gazetës Insajderi se i burgosur A.S. është diagnostifikuar me këtë sëmundje, ndërsa kanë treguar se ai është edhe me pesë persona të tjerë në një dhomë dhe nuk janë marrë masat e duhura.

Në lidhje me këtë, Insajderi ka kontaktuar Nehat Thaçin, drejtor i Shërbimit Korrektues të Kosovës, i cili ka thënë se i burgosuri është dyshuar të jetë infektuar me sëmundjen e zgjebes, mirëpo ende nuk kanë dal rezultatet përfundimtare dhe sipas tij, nesër do ta marrin konfirmimin.

“Nuk ka qenë bash zgjeb, kanë pasur dyshim por nuk është konstatuar ende që është zgjeba”, ka thënë Thaçi.

Ai tutje, ka treguar se janë marr të gjitha masat, duke mos dhënë detaje të tjera.

“Janë marr të gjitha masat dhe nesër në mëngjes e dërgojmë një raport të detajuar”, është shprehur ai.

Ndërkohë, Thaçi ka treguar për Insajderin, se 11 të burgosurit e tjerë në Dubravë, janë shëruar.

“Në Dubravë sot më ka ardhur raporti që janë shëruar të gjithë”, ka përfunduar ai.

Zgjeba është një sëmundje ngjitëse parazitare që në vendin tonë ka shkuar drejt zhdukjes së plotë, si rezultat i masave të rrepta që janë marrë në rritjen e kulturës shëndetësore të popullatës.

Mjekimi i zgjebes në vendin tonë është i detyrueshëm dhe falas për tërë familjarët e sëmurë.

Komento: