Ministri Konjufca vendos ta kthejë në shtëpi kunatën e Kadri Veselit

17:27 | 01 Prill 2020

Në mesin e diplomatëve të cilët pritet të përfundojnë misionin e tyre diplomatik është edhe kunata e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.

Ajmane Veseli, e cila mban gradën konsull në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih me datën 27 mars i ka përfunduar mandati i dytë në këtë post që nga viti 2012, kur ishte emëruar për herë të parë. Ajo do kthehet në Kosovë pasi ministri Konjufca nuk ia ka vazhduar mandatin.

Megjithatë kthimi do kryhet me datë 30 qershor për shkak të virusit corona.Ajmane Veselit i ishte vazhduar shërbimi diplomatik nga ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

Përmes një vendimi të marrë më 11 janar 2018 ish-ministri Pacolli ia kishe vazhduar mandatin, Ajmane Veselit deri më datën 31 gusht të po atij viti.

Ndërsa pak ditë para se t`i përfundonte ky mandat i vazhduar nga ish-ministri Pacolli, ky i fundit më 16 gusht kishte marrë vendim që Ajmane Veselit t`i vazhdohej mandati deri më 27 mars të këtij viti.

“Znj. Ajmane Veseli në gradën Konsull e caktuar në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih/Konfederata e Zvicrës i vazhdohet mandati i shërbimit në këtë mision diplomatik deri më datën 27 mars 2020”, thuhet në vendimin e ish-ministrit Pacolli.

Mirëpo kthimi i saj në Kosovë nuk pritet të ndodhë edhe për disa muaj, asaj i është vazhduar mandati deri më 30 qershor, kjo për shkak të pandemisë së coronavirusit.

Komento: