Ndihmojnë QKUK-në vullnetarë nga diaspora

14:51 | 10 Prill 2020

Vullnetarë nga diaspora ndihmojnë QKUK’në.

Përballë kësaj sfide të vështirë, ku mjekët dhe infermierët janë në frontin e parë gjatë luftës me COVID-19, disa të rijnë kanë marrë iniciativë të japin kontributin e tyre për mjekët dhe infermierët kosovarë.

Grupi i të rinjve shqiptarë, që jetojnë jashtë Kosovës, përkatësisht në Gjermani, Zvicër dhe Itali, kanë vendosur që të krijojnë një fushatë për mbledhjen e fondeve për të mbështetur Klinikën Infektive në QKUK.

Aktivistja Hava Hajredini gjithashtu shton se kjo ide u prit mjaft mirë nga anëtarët e tjerë të grupit, të cilët nuk po bashkëpunojnë për herë të parë në kauza të tilla.

E natyrisht, pjesën më të madhe të punës, ata po e kryejnë online, kështu duke parandaluar përhapjen e virusit korona dhe duke mos rrezikuar as shëndetin e tyre.

Duke qenë se në Kosovë ka një numër të madh të personave me diabet, sëmundje kronike dhe patologji të ndryshme, gjendja e të cilëve mund të përkeqësohet shumë nga ky virus, kjo do ta vështirësonte punën e stafit mjekësor për të trajtuar pacientët e infektuar në trajtim intensiv.

E ky grup ka menduar që përmes fondeve ta bëjnë furnizimin me materialet e nevojshme, të cilat sipas Hajredinit, do ta lehtësojnë punën e tyre.

Pos diasporës, ata të cilët janë shprehur të gatshëm të ndihmojnë janë edhe nga Kosova e Shqipëria, gjë që e ka habitur Havën.

Shuma e kërkuar nga ta është simbolike, e deri më tani ata kanë mbledhur 750 euro, por që presin që kjo shumë të rritet.

Ndihmë dhe mbledhje të fondeve po bëjnë edhe shumë organizata në Kosovë, ku pos infermierëve e mjekëve po ndihmohen shumë familje në nevojë.

Komento: