Dalin detaje të reja për pacienten nga Istogu e cila vdiq nga koronavirusi

20:29 | 13 Prill 2020

Kanë dalur disa detaje të reja për pacienten nga Istogu që humbi jetën nga Covid-19.

U soll me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. 39 vjeçarja nga Istogu, kishte probleme tjera shëndetësore, për çka u rekomandua operimi i saj në Kliniken Abdominale.

Por pacientja nënë e dy fëmijëve, ishte e prekur nga Koronavirusi, për çka mjekët nuk e dinin.

Ajo më pas e diagnostifikuar me Covid 19, u dërgua në Klinikën Infektive, por nuk mundi të mbijetojë.

Faik Hoti zëdhënës në Ministrinë e Shëndetësisë, ka thënë se pacientja S.K. e lindur në vitin 1981 përveç Covid-19 ka pasur edhe sëmundje të tjera bashkëshoqëruese.

Drejtori i Shëndetësisë së Istogut, Mujë Osmanaj, njoftoi se ajo kishte qenë në vizitë tek familja e saj në Klinë të Ulët të Skenderajt.

Të ndjerës i kishte vdekur edhe bashkëshorti kohë më pare në një aksident, ndërsa la pas vete 2 fëmijë.

Sipas infektologut Valbon Krasniqi, ajo ishte në mesin e 4 pacientëve në kujdes intensiv në kliniken infektive.

E momentalisht në infektivë janë të shtrirë 53 persona me virusin e rrezikshëm, prej tyre 6 me oksigjen terapi.

Ndërkohë, numri i të prekurve nga ky virus po vazhdon të rritet. E diela shënoi rekord negativ, pasi që IKSHPK-ja konfirmoi edhe 79 raste të reja pozitive me virusin SARS CoV-2.

Komuna e Ferizajt ishte më e prekura nga ky virus me 35 raste të reja, 16 në Prizren, në Viti e Han të Elezit nga 6 raste, tri raste të reja në Gjilan, në Malishevë e Vushtrri nga dy raste, dhe me nga një rast në Skenderaj, Klinë, Rahovec, Fushë Kosovë, Istog, Kamenicë, Mitrovicë e veriut, Leposaviq e Zubin Potok.

E numri i personave të prekur me virusin COVID-19 në Kosovë ka shkuar në 362, ndërsa prej tyre 59 janë shëruar.

Komento: