Infermierja nga Klinika Infektive rrëfehet për frikën dhe rrezikun nga COVID-19

09:43 | 08 Maj 2020

Rrëfimi i infermieres nga Klinika Infektive për frikën dhe rrezikun nga COVID-19.

Fetije Hyseni, infermiere në Klinikën Infektive, kishte shumë frikë kur filloi të merret me personat të sëmurë me COVID-19.

Për 24 vjet sa ajo ka punuar në këtë profesion nuk kishte parë një frikë të tillë te stafi mjekësor, pacientët dhe familjarët.

Kur të gjithë banorëve u bëhej thirrje të qëndronin në shtëpi, ajo dhe kolegët e saj duhet të luftonin me një armik të padukshëm.

“Prej kur është paraqitur coronavirusi, ne si staf shëndetësor lajmin e kemi marrë me panik. Ka qenë virus i panjohur dhe sigurisht që kemi pasur frikë, ndonëse jemi staf shëndetësor dhe përballemi me epidemi të ndryshme në klinikën ku punoj. Por, nuk i dinim pasojat dhe ecurinë e virusit. Ishim në panik pasi që të gjithë rrinin në shtëpi, ne ishim në vijën e parë të frontit. Nuk i dinim simptomat e pacientëve, nuk e dinim me çka do të përballeshim”, tha Hyseni për Radion Evropa e Lirë.

Dita kur në Kosovë rezultuan pozitiv me COVID-19, mbi 70 pacientë, ka qenë dita që Fetija e kujton frikën edhe ankthin e gjithë stafit në Klinikën Infektive.

“Dita më stresuese ka qenë ajo, kur mbi 70 pacientë rezultuan pozitivë me COVID-19. Ka qenë e frikshme. Klinika Infektive i posedon 102 shtretër. Mendonim po të rriten rastet si do t’i menaxhojmë. Kur puna kryhet me stres, rrezikohet edhe stafi mjekësor. Edhe si pasojë kemi pasur të prekur me COVID-19 edhe nga stafi shëndetësor. Por, deshi fati dhe jo të gjithë ishin me simptoma dhe i menaxhuam për mrekulli. Por më pas, ecuria e sëmundjes shkonte mirë, ndonëse frika ekzistonte’’, tha ajo.

Ajo përmend edhe një vështirësi, veshjen speciale kundër coronavirusit, e që është dashur ta mbajnë gjatë gjithë orarit të punës.

Komento: