
Gashi për marrëveshjen me Listën Serbe, ka thënë se e publikojnë kur ta marrin të drejtën për Qeveri.
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka mohuar të ketë diçka specifike në marrëveshjen me Listën Serbe, teksa ka thënë se ajo nuk është bërë e ditur, pasi që asnjëra prej marrëveshjeve me partitë nuk është publikuar nga LDK-ja.
“Asnjëra prej marrëveshjeve nuk është publikuar nga LDK-ja dhe ka mbetur që marrëveshjet të publikohen kur ta formojmë Qeverinë”, ka thënë ai.
Gashi nuk ka dashur të japë detaje të marrëveshjes me Listën Serbe. Ka thënë se aty nuk ka asgjë specifike.
“Marrëveshje mund të jetë që të zbatohet marrëveshjet e Brukselit. Me sa e di ka çështje që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik të komunave me shumicë serbe, ndarjen e buxhetit në mënyrë të barabartë dhe kësi gjërash. Nuk ka asgjë që bie ndesh me interesat e Kosovës”, ka thënë ai.
I pyetur rreth vendimit të Kushtetueses lidhur me marrëveshjen e Brukselit dhe mundësisë që Lista Serbe ta kërkojë respektimin e saj, ai ka thënë se: “S’mundet askush ta kërkojë një gjë të tillë”.
Sa i përket përfshirjes së Listës Serbe në koalicionin qeverisës dhe deklaratave të mëparshme të Hotit, Gashi ka thënë se “Lista Serbe është grup politik që kandidon në zgjedhje dhe përfaqësohet prej dhjetë deputetëve. Nëse varësia nga Lista Serbe nënkupton cënimin e interesave të Kosovës, atëherë nuk do të ketë të tillë”, ka thënë ai.
Gashi ka folur edhe për përplasjet lidhur me gjendjen e jashtëzakonshme, epilog i të cilave ishte rrëzimi i Qeverisë.
I pyetur rreth asaj nëse partia e tij është ndjerë e “shfrytëzuar” nga presidenti Thaçi kur është në pyetje gjendja e jashtëzakonshme, Gashi i është kthyer çështjes së heqjes së tarifës dhe kërkesës që Mustafa ia kishte bërë Kurtit në këtë drejtim.
“Kurti nuk iu përgjigj fare dhe një ditë me vonë shkarkoi nënkryetarin e LDK-së. Arsyeja ishte se ai ishte përgjigjur me ‘po’ rreth pyetjes nëse është e arsyeshme të vendoset gjendja e jashtëzakonshme… Koncepti i shtetit që kemi ndërtuar është ai i demokracisë dhe ai vlen edhe për Qeverinë”, ka thënë Gashi.
Ai ka shtuar se ka shumë “çështje” me të cilat kryeministri nuk ka dashur të merret, rrjedhimisht duke e “shkaktuar” rrëzimin e Qeverisë.