Këshilltari i Pacollit vë në pikëpyetje votën e liderit të AKR-së për Qeverinë Hoti

18:20 | 21 Maj 2020

Gashi i LDK pret që Qeveria të bëhet javën e ardhshme, i reagon këshilltari i Pacollit.

Këshilltari i Behgjet Pacollit, Naim Murseli ka reaguar ndaj deklaratës së Shefit të Grupit Parlamentar të LDK’së, Arben Gashi se qeveria do të formohet javën e ardhshme.

Këshilltari i Behgjet Pacollit tha se nuk duhet të spekulohet mbi votën e Pacollit në Kuvend pasi ai nuk ka vendosur se a do ta votojë qeverinë Hoti apo jo.

“Arben Gashi nga LDK paska deklaruar se qeveria e re do të votohet javën e ardhshme. Askush të mos spekulon me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Po ashtu të mos spekulohet me votën e z. Pacolli, kur ai ende nuk ka vendosur se a do të votojë qeverinë e re apo jo”, ka thënë Murseli.

Ai ka shtuar se është e sigurtë që AKR nuk do të jetë pjesë e qeverisë së re.

“Ajo çfarë është e sigurt është se ai do të respekton mandatin e tij të deputetit dhe që AKR nuk do të jetë pjesë e qeverisë së re. Është e rëndësishme të respektohet vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese, dhe të mos provokohet situata nga askush”, ka thënë ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Arben Gashi është shprehur i bindur se Qeveria Hoti do të votohet javën e ardhshme.

Gashi këto komente i ka bërë sot pas takimit që i nominuari për kryeministër Avdullah Hoti e kishte me Grupin Parlamentar të LDK-së para të cilëve e ka shpalosur programin qeverisës.

Komento: