
Pas heqjes së reciprocitetit me Serbinë, ka reaguar edhe përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Ai e ka mirëpritur vendimin e fundit të Qeverisë Hoti për heqje të masave të reciprocitetit ndaj Serbisë.
“Mirëpres vendimin e sotëm të qeverisë në Kosovë për të hequr masat e fundit të reciprocitetit. Heqja e shpejtë e pengesave për të rinisur dialogun e drejtuar nga BE’ja tregon përkushtimin e Kosovës për t’u kthyer në tavolinën e negociatave pa vonesa”, ka shkruar Lajcak.
Sot në mbledhjen e tretë me radhë, qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti ka hequr masat e reciprocitetit ndaj Serbisë.
Bëhet fjalë për shfuqizimin e Propozim-vendimit për shfuqizimin e vendimit të Qeverisë Nr. 01/14, të datës 20 mars 2020, Vendimit të Qeverisë Nr. 01/20, të datës 31 mars 2020, për zbatimin gradual të reciprocitetit si parim në marrëdhëniet me Serbinë dhe vendimin e Qeverisë Nr. 01/37 të datës 30 maj 2020 për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 01/20, të datës 31 mars.
