Për nder të Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve, Osmani e Kosnett ngritin flamurin e SHBA-ve në oborrin e Kuvendit

10:47 | 04 Korrik 2020

Me rastin e 244 vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, flamuri amerikan është vendosur para hyrjes së objektit të Kuvendit të Kosovës.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr.Vjosa Osmani dhe ambasadori amerikan Philip Kosnett kanë nderuar flamurin amerikan pas intonimit të himneve të të dy shteteve.Flamuri amerikan do të valvitet në hyrje të ndërtesës së Kuvendit deri më 6 korrik.

Kryetarja Osmani ka uruar popullin amerikan për ditën e pavarësisë së shtetit të tyre, duke rikujtuar që miqësia e Kosovës me ShBA-të është e një rëndësie strategjike dhe e përhershme.

Ja postimi i saj:

Për nder të Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve, vendit me të cilin ne i ndajmë të njëjtat vlera dhe jetojmë në paqe të qëndrueshme e në miqësi të përhershme, në oborrin e Kuvendit të Kosovës, së bashku me ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, shkëlqesinë e tij, z. Philip S. Kosnett, ngritëm flamurin e SHBA-ve, në shenjë falënderimi e respekti ndaj popullit amerikan dhe demokracisë amerikane. Flamuri do të qëndrojë aty deri më 6 korrik.

Vlerat e popullit amerikan, të theksuara në Deklaratën e Pavarësisë së SHBA-ve, nga e cila është frymëzuar edhe Deklarata jonë e Pavarësisë, janë frymëzim yni i përhershëm.

Komento: