Takohen Bahtiri dhe Kurti, temë e diskutimit bashkimi i Mitrovicës

22:24 | 29 Janar 2019

Që nga përfundimi i luftës, njëra nga komunat e cila ka mbetur në mëshirë të fatit është ajo e Mitrovicës.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka zhvilluar një takim me kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtirin dhe nënkryetarin e kësaj Komune, Faruk Mujka.

Në këtë takim, siç ka shkruar Mujka në profilin e tij në Facebook, është diskutuar për peticionin për bashkimin e Mitrovicës.

Sipas tij, ata janë dakorduar që peticioni të procedohet sa më shpejtë nëpër komisionet parlamentare dhe të ketë mbështetjen e plotë të gjithë liderëve partiakë.

“Gjithsesi duhet pasur të qartë se kërkesa për bashkimin e qytetit në asnjë mënyrë nuk nënkupton një lloj kompromisi me integritetin territorial të Kosovës apo çfarëdo cenimi të kufijve të Kosovës, sepse një gjë e tillë është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, vendimin e GJND-së dhe vendimin e atyre 110 shteteve që na kanë pranuar me këta kufinjë aktual, e ndër ta edhe SHBA-të”, thuhet në njoftimin e Mujkës.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri më 16 janar i kishte dorëzuar peticionin me 16 mijë nënshkrimet e qytetarëve të kësaj komune për bashkimin e Mitrovicës, kryetarit të Kuvendit, Qeverisë dhe Zyrës së Presidentit.

Nisma e kryetarit të Mitrovicës ka marrë mbështetjen edhe të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Komento: