AAK dhe Nisma të vendosura për taksën

16:10 | 30 Janar 2019

Taksa e vendosur ndaj produkteve serbe si shenjë proteste për mosnjohjen e Kosovës ndaj Serbia është bërë problematikë në vete e koalicionit qeverisës. Shkaku i këtij mospajtimi, shteti mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Kjo pasi partia Demokratike e Kosovës është deklaruar kundër qëndrimeve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën në lidhje me taksën.

Të hënën, i pari i AAK-së, Ramush Haradinaj nuk e përjashtoi mundësinë se kjo mund të jetë java e tij e fundit si kryeministër pasi nuk po heq dorë nga taksa 100%. Ai madje tha se nuk ka frikë nga zgjedhjet e reja, shkruan lajmi.net.

“Zgjedhjet janë të shëndetshme dhe aleati im mund të ndërmarrë veprime për të ikur nga qeveria. Nuk kam frikë nga zgjedhjet edhe nëse ndodhin shumë shpejt”, deklaroi kryeministri.
Po të njëjtën ditë, Haradinaj i dërgoi letër ambasadorëve të QUINTIT dhe Bashkimit Evropian duke i kushtëzuar për heqje të taksës.

Ndërsa i pari i PDK-së, Kadri Veseli propozoi që taksa ndaj Serbisë dhe Bosnjës të pezullohet për 120 ditë. Veseli doli edhe kundër letrës së Haradinajt drejtuar bashkësisë ndërkombëtare duke thënë së Kosova kurrë nuk duhet ta kushtëzojë Amerikën për asgjë.

Duke aluduar në letrën e Haradinajt PDK kërkoi kërkoi sot decidivisht që të hiqet dorë nga deklarimet për thirrjen e një Konference Ndërkombëtare për Kosovën.

Në përkrahje të vazhdimit të taksës është partia e Fatmir Limajt, Nisma Socialdemokrate. Mirëpo, të njëjtit nuk kanë frikë nga zgjedhjet e reja.

Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Bilall Sherifi i ka thënë lajmi.net se Nisma është e gatshme të dal para qytetarëve.

“Kurdo që do të mbahen zgjedhjet Nisma është e gatshme të dal sërish para qytetarëve”, është shprehur Sherifi.
Për mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme, lajmi.net ka tentuar të kontaktojë edhe me shefin Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi por nuk ka marrë përgjigje.

Gjatë ditës së sotme, lajmi.net raportoi se John Bolton, këshilltar Nacional për Siguri i presidentit të SHBA-ve, Donald Trump do të bisedojë me Haradinajn dhe ta qortojë atë për kushtëzimet publike që ia ka bërë Amerikës.

Pas kësaj bisede pritet të kuptohet nëse do të ndryshojë qëndrimi i kryeministrit apo do të mbetet i njëjti

Komento: