Qeveria Hoti emëron Bordin e përkohshëm të drejtorëve të NP “Telekomi i Kosovës”

21:44 | 24 Korrik 2020

Emërohet Bordi i përkohshëm të drejtorëve të NP “Telekomi i Kosovës”.

Me kërkesë të Kryeministrit , Avdullah Hoti dhe në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen korresponduese (mbledhje elektronike), të 16-ën me radhë, në të cilën ka shqyrtuar dhe ka miratuar vendimin për emërimin e Bordit të përkohshëm të drejtorëve të Ndërmarrjes Publike “Telekomi i Kosovës Sh. A”,

Anëtar të Bordit të përkohshëm janë zgjedhur :

Mehmet Berisha, kryesues

Kushtrim Krasniqi, anëtar

Teki Shala, anëtar

Blerim Shehu, anëtar.

“Emërimi i këtij bordi është bërë në përputhje me legjislacionin në fuqi për ndërmarrjet publike dhe pas dorëheqjes së Bordit të përkohshëm të kësaj ndërmarrjeje. Ky bord i përkohshëm do të shërbejë në cilësi të Bordit të drejtorëve derisa të zgjedhe Bordi i përhershëm”, thuhet në një komunikatë për media të Qeverisë së Kosovës.

Bordi i përkohshëm i Telekomit të Kosovës ka dhënë dorëheqjen. para tri ditëve. Kjo ka ardhur pasi përmbaruesi ka tërhequr nga xhirollogaria e kësaj ndërmarrjeje të gjitha mjetet që posedonte.

Bordi i Telekomit dorëheqjen e ka paraqitur përmes një letre dërguar kryeministrit Avdullah Hoti, ku ndër të tjera kanë paraqitur edhe gjendjen në të cilën e kanë gjetur ndërmarrjen.

“Na lejoni të ju njoftojmë se ne anëtarët e Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve: Genc Rraci, Naim Maloku, Lule Ahmedi dhe Hekuran Nikqi e paraqesim dorëheqjen tonë të parevokueshme. Me emërimin tonë si Bord i Përkohshëm në Telekomin e Kosovës Sh.a nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ne kemi ndërmarrë hapa dhe kemi marrë vendime të rëndësishme për dalje nga kriza financiare në të cilën e kemi gjetur korporatën”, thuhet në letrën e dorëheqjes.

Në muajin mars, ish-qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti kishte emëruar bordin e ri.

Në xhirollogari ishin 3 milionë euro të cilat Qeveria ia kishe dhënë kësaj kompanie gjatë gjendjes me pandemi.

Komento: