
Avdullah Hoti do të punojë nga shtëpia, agjenda e Qeverisë “nuk ndikohet”.
Testimi pozitiv i kryeministrit Avdullah Hoti nuk do të ndikojë në agjendën e punës së Qeverisë së Kosovës.
Nga Kryeministria është njoftuar se kryeministri do të vazhdojë të punojë nga shtëpia, online dhe do të koordinojë punën në konsultim me zëvendëskryeministrat. Po ashtu nga Kryeministria është njoftuar se Hoti është testuar me sugjerim të mjekëve dje pasdite dhe menjëherë pasi ka marrë rezultatin ai është vetizoluar.
Po ashtu është thënë se stafi i zyrës së Kryeministrit do t’i përmbahet protokolleve të IKSHP-së.
“Kryeministri Avdullah Hoti, me sugjerim të mjekëve, dje pasdite e ka bërë testin për COVID-19. Porsa ka marrë rezultatin, ai është vetizoluar dhe do të vazhdojë t’i kryejë obligimet e tij nga shtëpia, online. Ndërsa, stafi i zyrës së Kryeministrit do t’u përmbahet protokolleve të sugjeruara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. Ndërkohë, agjenda e punës së Qeverisë së Kosovës nuk do të ndikohet. Kryeministri Hoti do ta koordinojë punën nga shtëpia në konsultim me zëvendëskryeminitrat”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Shërim të shpejtë i kanë uruar kryeministrit të Kosovës, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj.