
Koronavirusi: FSK-ja vendos në dispozicion “Batalionin e Mjekësisë”.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj është takuar me ministrin e FSK-së, Anton Quni me të cilin ka diskutuar për mbështetjen dhe gatishmërinë e FSK-së për të kontribuar në luftën kundër pandemisë COVID-19.
“Anton Quni më njoftoi se FSK-ja është në gatishmëri dhe ka kapacitete mjekësore e logjistike për të ndihmuar në çfarëdo situate”, shkruan Zemaj në Facebook.
Ai poashtu ka bërë me dije se është vënë në gjendje gatishmërie edhe “Batalioni i Mjekësisë” në kuadër të FSK -së.
“E falënderova z.Qunin për bashkëpunimin tonë dhe ndihmën e FSK-së që po e ofron në këtë betejë me Covid19. I sqarova se Ministria e Shëndetësisë do të përkrah FSK-në me pajisje përkatëse mjekësore dhe në fuqizimin e personelit mjekësor”.
“Me vajzat dhe djemtë e FSK-së dhe të gjithë qytetarët do ta mposhtim virusin”, shkruan më tej ai, transmeton Klan Kosova.