Inspektoriati policor arreston tre persona, në mesin e tyre një zyrtar policor

21:22 | 07 Tetor 2020

Inspektoriati policor i Kosovës ka kryer tri arrestime sot.

Një zyrtar policor, një zyrtar i shërbimit korrektues dhe një qytetar janë arrestuar nga Inspektorati Policor i Kosovës si të dyshuar për kryerjen e veprës penale “lëndim i lehtë trupor”.

IPK përmes një komunikate për media ka njoftuar se zyrtari policor është suspenduar dhe ndaj tre të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

“Hetuesit kishin pranuar informacione për këtë rast përmes një ankese të adresuar në Inspektoratin Policor lidhur me dyshimin së një zyrtar policor, një zyrtar i shërbimit korrektues dhe një qytetar kanë kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor duke ju referuar një incidenti që kishte ndodhur më 5 tetor 2020 në rrugën “Rrustem Statovci” në Prishtinë” thuhet në komunikatë.

Komunikata e plotë:

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë arrestuar sot tre të dyshuar (një zyrtar policor, një zyrtar të shërbimit korrektues dhe një qytetar) me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”në bashkëkryerje.

Hetuesit kishin pranuar informacione për këtë rast përmes një ankese të adresuar në Inspektoratin Policor lidhur me dyshimin së një zyrtar policor, një zyrtar i shërbimit korrektues dhe një qytetar kanë kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor duke ju referuar një incidenti që kishte ndodhur më 5 tetor 2020 në rrugën “Rrustem Statovci” në Prishtinë.

Lidhur me këtë incident ishte hapur rast edhe në Policinë e Kosovës i cili pastaj bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së i ishte dorëzuar hetuesve të IPK-së.

Menjëherë pas pranimit të këtyre informacioneve hetuesit e IPK-së i janë përgjigjur rastit duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.

Pas këtyre veprimeve hetimore është konsultuar edhe prokurori kompetent dhe tre të dyshuarve në këtë rast me vendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar.

Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.

Komento: