
Kuvendi i Kosovës me 64 vota pro e ka votuar projektligjin për rimëkëmbje ekonomike.
Pas votimit, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka falënderuar të gjithë deputetët.
“Ju falënderoj shumë për angazhimin dhe për votën për këtë projektligj”, tha Gashi.
Ai po ashtu, theksoi se nëse kanë vullnet deputetët e Kuvendit të Kosovës, të ftohet edhe një seancë tjetër e jashtëzakonshme ku do të votohet edhe në lexim të dytë dhe të përfundojë çdo gjë rreth këtij projektligji.
Mirëpo, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, i tha Gashit, se ai i di rregullat e Kuvendit që janë të përcaktuara në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe se një gjë e tillë nuk lejohet, pasi që tashmë është edhe një seancë plenare, e cila pritet të fillojë pas pak.