Ahmeti jep detaje për një bisedë telefonike me Haradinajn

23:59 | 06 Shkurt 2019

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se ka pasur një bisedë me Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn.

Ai ka thënë se do ta mbështesë kryeministrin Ramush Haradinaj për taksën ndaj produkteve serbe. Ai ka treguar detaje nga biseda telefonike që ka pasur me Haradinajn para se ai ta vendos taksën 100%. Ahmeti ka thënë se interesat shtetëror nuk janë pronë e askujt, janë përgjegjësi e përbashkët.

Postimi i plotë i Ahmetit:

Para vendimit për taksën më ka telefonuar kryeministri Ramush Haradinaj. Më ka tregur që don me e vendos taksën dhe më ka thënë që kjo e largon Listën Serbe. Pyetja ishte “në qoftë se largohet Lista Serbe, a më mbështet në taksë që mos me ra qeveria”. I kemi thënë po!

Edhe sot mendoj që taksa është pak karshi politikave të Serbisë! Dashakëqinjtë e shtrembërojnë deklaraten time! Unë i kam thënë kryeministrit, për taksën jemi bashkë! Në qoftë se vendosim bashkë me e mbajt, e ndajmë presionin! Në qoftë se vendosim bashkë me e pezullu përkohësisht për t’i dhënë rast dialogut, e ndajmë kritikën publike bashkë!

Kur ishte në pyetje me e marr kreditin për taksë, nuk i nxinte kamera. Kur erdhi presioni amerikan, nuk i nxen dera. Ne jemi këtu edhe në të mirë, edhe në të keq.

Interesat shtetëror nuk janë pronë e askujt, janë përgjegjësi e përbashkët. Përfituesit ditor mundohen me rrejt e shpif. Interesi i shtetit mbetet sybim i përhershëm që mbijeton!

Komento: