Fatmir Limaj me bashkëpartiakë qëndron në shtëpinë e Jakup Krasniqit

19:03 | 04 Nëntor 2020

Pas dërgimit në Hagë, Limaj me bashkëpartiakë qëndron në shtëpinë e Jakup Krasniqit.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj dhe bashkëpartiakët e tij e kamë vizituar sot familjen e kryetarit të Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, pas arrestimit nga ana e EULEX-it me urdhër të Gjykatës Speciale.

Limaj gjatë vizitës së tij tha se ndjen keqardhje për atë se çfarë ka përjetuar sot familja e Jakup Krasniqit. Ai është i bindur se Krasniqi do të kthehet shumë shpejtë.

“Bacin Jakup do ta presim shumë shpejt duke u kthyer fuqishëm me certifikatën të cilën e ka, që personifikon atë njeri humanist, njeri i ndershëm, një jetë të tërë në shërbim të publikut, vet sakrifikues, patriot e atdhetar”, tha Limaj.

Gjithashtu, kryetari Limaj tha se, nuk ka personalitet në kombin shqiptar në mesin e të gjallëve, që është personifikim i lirisë, pavarësisë dhe drejtësisë të Kosovës sesa Jakup Krasniqi.

Limaj po ashtu tha se familja e Jakup Krasniqit do ta ketë mbështetjen e tij deri në fund.

Pjesëtarët e EULEX-it sot bastisën shtëpinë e Jakup Krasniqit, të cilën më pas edhe e arrestuan. Krasniqi është arrestuar pas 10 orësh bastisjeje në shtëpinë e tij, ndërsa pritet transferimi i tij në Hagë.

Komento: