Rrecaj: Konfirmimi i aktakuzës ndaj Veselit ishte e pritshme, s`mund të spekuloj për Thaçin

11:21 | 05 Nëntor 2020

Avokati Rrecaj: Konfirmimi i aktakuzës ndaj Veselit ishte e pritshme, s`mund të spekuloj për Thaçin.

Dhomat e Specializuara të Gjykatës së Hagës kanë konfirmuar aktakuzën ndaj kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Ai këtë e ka bërë publike përmes një deklarate ku edhe ka njoftuar se do të udhëtoj drejt Hagës.

“Dje pasdite, jam informuar nga Zyra e Prokurorit të Dhomave të Specializuara se gjyqtari i procedurës paraprake ka konfirmuar aktakuzën kundër meje. Përmes kësaj deklarate, dua ti informoj qytetrët e Kosovës se kam bërë aranzhimet e nevojshme për të udhëtuar vullnetarisht drejt Hagës në mënyrë që t’iu përgjigjem këtyre akuzave. Nuk do të komentoj më shumë kësaj radhe”.

Konfirmim të aktakuzës ka pasur edhe për ish- zëdhënësin e Shabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Jakup Krasniqi si dhe ish-komandantit e Zonës së Drenicës Rexhep Selimi, njofton Klan Kosova.

Lidhur me këto zhvillime ka folur avokati Tahir Rrecaj.

Ai për Klan Kosova tha se kjo ka qenë e pritshme nga ana e Speciales.

“Konfirmimi ose hedhja poshtë është proces i pritshëm nga Dhomat e Specializuara. Ajo çka më ka ardhur keq besoj edhe qytetarëve të Kosovës është bastisja dhe mënyra e arrestimit të z.Jakup Krasniqi. Besoj që kjo ka qenë e panevojshme. Ka mjaftuar një telefonatë ose një ftesë ndaj z.Krasniqit dhe ai do të ishte paraqitur, me gjithë dokumentacionin e kërkuar”.

“Përjashtim në raport me z.Krasniqi, është bërë ndaj z. Veseli dhe z. Selimi. më vjen mirë që nuk ka pasur bastisje dhe arrestime”.

Avokati theksoi se nuk mund të spekulojë nëse aktakuza do t’i konfirmohet edhe presidentit Hashim Thaçi.

“Unë nuk mund të spekulojë nëse aktakuza do të konfirmohet edhe ndaj z. Thaçi. Uroj që kjo mos të ndodhë. As ndaj tij dhe as ndaj tjerëve”, shtoi Rrecaj .

Komento: