Kaq persona janë duke luftuar ende me virusin në Kosovë!

08:11 | 08 Nëntor 2020

Koronavirusi po vazhdon të përhapet në Kosovë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës të shtunën ka njoftuar se janë shënuar 491 raste pozitive me COVID-19, janë shëruar 62 pacientë, ndërkaq kanë vdekur 12

IKSHPK njoftoi se në 24 orët e fundit janë testuar 1 mijë e 137 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.

“Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.137 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 491 raste pozitive”, thuhet në njoftimin e IKSHPK.

Ndërkohë, të shtunën u raportua për 12 raste të vdekjes si pasojë e koronavirusit.

“Brenda 24 orëve janë raportuar 12 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prizren 3 raste (72, 69 dhe 64 vjeç), Gjilan 3 raste (69, 66 dhe 65 vjeç), Prishtinë 2 raste (të dytë 79 vjeç), Drenas 1 rast (64 vjeç), Ferizaj 1 rast (71 vjeç), Klinë 1 rast (78 vjeç) dhe Suharekë 1 rast (67 vjeç)”, bëri të ditur IKSHPK.

Të shtunën ka shkuar në 23 mijë e 425 numri i rasteve pozitive që nga fillimi i pandemisë, i vdekjeve në 744, derisa deri më tani janë shëruar 16 mijë e 47 persona.

“Numri total i rasteve pozitive është 23.425 raste nga 104.976 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 744 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 66 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 16.047 raste, kurse numri i rasteve aktive është 6.634”, ka njoftuar IKSHPK.

Komuna me më së shumti raste pozitive në raportimin e fundit të IKSHPK’së është Prishtina me 215 persona të infektuar.

Komento: