“Shpatat u drejtuan në drejtim të gabuar”, këshilltari i Osmanit flet për zhvillimet e fundit

22:10 | 08 Nëntor 2020

Artan Murati, këshilltari i Vjosa Osmanit, ushtrueses së detyrës së presidentes, ka sqaruar si është me Kushtetutë funksionimi i kryetarit të Kuvendit si ushtrues detyre i presidentit të Kosovës.

Ai ka thënë se ajo çfarë duhet në këto momente në Kosovë pas zhvillimeve të fundit nga Gjykata Speciale dhe pas dorëheqjes së ish-presidentit, Hashim Thaçi, janë veprimet e përbashkëta dhe uniteti politik.

Shkrimi i plotë i Muratit në Facebook:

Jemi në fund të një jave të rëndë për të gjithë vendin. Është fakt i pamohueshëm, se Kosova e populli i saj tanimë kanë dëshmuar gatishmërinë për t’u përballur me drejtësinë deri në triumfin e saj. Në momente të tilla, kur kërkohet maturi në secilën deklaratë e veprim, jo cdoherë duhet të biem pre e reagimeve të bazuara në emocione, e jo në fakte.

Porse, sidomos gjatë dy-tri ditëve të fundit, shpeshherë shpatat u drejtuan në drejtim të gabuar. Jemi shoqëri demokratike, ku pluralizmi politik e mendimi ndryshe janë vlera të pacënueshme të saj. Pra, është krejtësisht e kuptueshme nëse dikush nuk e pëlqen një figurë të caktuar politike.

Mirëpo, ajo cfarë nuk duhet lejuar askush janë rastet kur nuk flitet me gjuhën e ligjit dhe të së drejtës, por me gjuhën e (mos)pëlqimit politik. Rastin konkret e kemi me UD të Presidentes, dhe Kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani.

Po mundohem me qenë krejtësisht i shkurtë dhe i qartë. Në aspekt kushtetues, nuk ka as edhe një dilemë se Kryetarja e Kuvendit ushtron postin e Presidentit, në rast mungese të këtij të fundit. Terminologjia kushtetuese, fjala “në mungesë”, mbulon edhe dorëheqjen, edhe sëmundjen, edhe cilëndo rrethanë tjetër e cila e pamundëson Presidentin të ushtroj funksionin e tij/saj. Kjo është fryma e nenit 90 të Kushtetutës, e konfirmuar edhe me Aktgjykimin Nr. KO97/10 të Gjykatës Kushtetuese.

Pra, Ushtrimi i Detyrës së Presidentit është vec përgjegjësi shtese, deri në momentin kur Kuvendi është i gatshëm për të zgjedhur Presidentin e ri.

Andaj, ajo cfarë duhet në këto momente janë veprimet e përbashkëta e uniteti politik. Rivaliteti politik është i mirëseardhur, por jo duke u bazuar në të pavërteta. /ORAinfo/

Komento: