Pasi Daçiq akuzoi Kosovën në OKB, kështu i përgjigjet Pacolli

22:49 | 07 Shkurt 2019

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli ka reaguar ndaj deklarimeve të, Ivica Daçiq, në Këshillin e Sigurimit.

Ai ka thënë se përgjatë viteve e dekadave kemi parë debatin global në lidhje me demokratizimin e sistemit të Kombeve të Bashkuara.

Përmes një postimi në Facebook, Pacolli ka pyetur se si ka mundësi, që në një dhomë diplomatike, të flasin përfaqësues të një regjimi kriminal, përcjell ORAinfo.

Reagimi i plotë i Pacollit:

Përgjatë viteve e dekadave kemi parë debatin global në lidhje me demokratizimin e sistemit të Kombeve të Bashkuara. Sidoqoftë, kur shoh ish zëdhënësin të Kasapit të Ballkanit, Slobodan Millosheviq, sot Ministër në Qeverinë e Serbisë, Ivica Daciq, të flasë gjërë e gjatë dhe pa u skuqur para diplomatëve të respektuar të vendeve të përfaqësuara në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, shtroj dilemëm, se a përfshinë demokratizimi i instancave globale, edhe krijimin e hapësirës për figura me sfond kriminal e shovenist, sikurse është Daçiq.

Pra si ka mundësi, që në një dhomë diplomatike, të flasin përfaqësues të një regjimi kriminal, të një shteti përgjegjës për disa luftëra në Ballkan, para përfaqësuesve të vendeve që mundësuan paqe e stabilitet, dhe me të drejtë përkrahen pavarësinë tonë!

A është kjo demokraci apo defekt i këtij sistemi universal!? /ORainfo/

Komento: