Lista Serbe e mbron Vuçiqin, i quan “shizofrenike” reagimet nga Kosova

10:43 | 13 Nëntor 2020

Lista Serbe i quan “shizofrenike” reagimet nga Kosova për Vuçiqin.

Lista Serbe i ka cilësuar si “shizofrenike” deklartat dhe siç i ka quajtur “kërcënimet” nga Prishtina ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Sipas kësaj liste “josinqeriteti i zyrtarëve të Prishtinës kur bëhet fjalë për dialogun, paqeruajtjen dhe vendosjen e vlerave evropiane në Kosovë përfaqësohet më së miri nga sulmet histerike ndaj Presidentit Aleksandar Vuçiq”, raportojnë mediat serbe, transmeton Klan Kosova.

“Deklaratat dhe kërcënimet shizofrenike drejtuar Presidentit Vuçiq, i cili bën thirrje për paqe dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura përmes dialogut nën kujdesin e Bashkimit Evropian, tregojnë se sa populli shqiptar në Kosovë është i vendosur në duart e politikanëve të papjekur në shekullin 21”.

Reagimet nga Prishtina erdhën pas deklaratave të kreut të shtetit serb, Aleksandar Vuçiq i cili tha se në Kosovë mund të ketë konflikt nëse përpjekjet për paqe dështojnë.

“Mesazhi më i rëndësishëm është mesazhi i paqes, dialogut dhe dëshirës për të vazhduar bisedimet me Prishtinën dhe për të kuptuar që zgjidhja më e mirë e mundshme është përmes dialogut dhe për ta arritur atë më shpejt sesa më vonë. Përndryshe, një lloj konflikti mund të na ndodhë”.

Komento: