S’ndalen turmat e njerëzve në shesë e kafene
Lakorja e infeksionit nga COVID-19 nuk ka shënuar rënie as të shtunën, derisa në 24 orët e fundit janë shënuar 11 vdekje të reja.
Nga 1791 testime, 765 prej tyre kanë rezultuar pozitive, duke e çuar shifrën e rasteve aktive në 10 mijë e 752.
Sipas raportit të IKSHPK-së, në 24 orët e fundit janë shëruar 193 pacientë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve ka shkuar në 17.055 raste.
Komunat me më së shumti të infektuar mbeten Komuna e Prishtinës me 290 raste të reja, Gjilani me 96 dhe Mitrovica me 61 raste.
Ende pa u bërë 24 orë që nga hyrja e masave të reja në fuqi, sheshi i kryeqytetit ishte plot me njerëz, raporton KOHA.
Lëvizje të shumta të qytetarëve u panë edhe në kafenetë përreth sheshit.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit, policia ka shqiptuar gjoba ndaj 778 qytetarëve të cilët nuk kanë respektuar Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.
Gjobat për mosrespektim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID -19 fillojnë nga 35 deri në 2000 euro, varësisht nga shkeljet.