Serbia sjell vaksinën anti-Covid në veri të Kosovës, hetin Qeveria e MSH-ja

17:20 | 25 Dhjetor 2020

Në veri të Kosovës ka filluar vaksinimi kundër COVID-19 me vaksinën e Pfizer dhe interesimi i qytetarëve është shumë i madh.

Lajmin se Serbia e ka sjellur vaksinën Pfizer në veri të Kosovës dhe ka filluar vaksinimin e ka konfirmuar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, shkruan lajmi.

“Vaksina ka filluar në Leposaviq, sot mbërrin në Mitrovicë të Veriut. Vlen për të moshuarit 75 vjeç, së pari t’i mbrojmë ata, pastaj të gjithë të tjerët”, citon Kosovo Online të ketë thënë Vuçiq.

Serbia fillon vaksinimin e qytetarëve në veri të Kosovës

E lidhur me këtë veprim të Serbisë duket se institucionet e Kosovës nuk janë në dijeni, ngase kanë mbetur ‘pa koment’, lidhur me këtë gjë.

Lajmi.net ka tentuar që përmes telefonit të kontaktojë me qeverinë e Kosovës për të marrë një përgjigje nëse kanë qenë të informuar lidhur me sjelljen e vaksinës nga autoritetet serbe në Kosovë, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Zëdhënësja e qeverisë, Antigona Baxhaku shkurt për lajmi.net ka thënë “Drejtohuni MSH-së ju lutem”.

Tutje, lajmi.net ka tentuar të kontaktojë edhe me Ministrinë e Shëndetësisë përmes telefonit por të njëjtit ende nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje lidhur me faktin nëse kanë qenë në dijeni ose jo që Serbia do t’i sjellë këto doza të vaksinës në Kosovë.

Para Shtëpisë së Pleqve në Leposaviq mund të shihen radhë të gjata të atyre që presin të marrin vaksinën.

Kosovo Online raporton se sot më vonë do të fillojë edhe vaksinimi në veri të Mitrovicës, kurse nesër në Zubin Potok e Zveçan.

Dozat e para të vaksinës Pfizer-Biontech kanë mbërritur të martën në Serbi kurse nga dje ka filluar vaksinimi duke e bërë Serbinë, së bashku me Britaninë e Madhe e Zvicrën një prej shteteve të para evropiane që kanë filluar vaksinimin para përfundimit të vitit.

Komento: